Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, raportoi në Komisionin për Punët e Jashtme mbi situatën në Lindjen e Mesme, pas tensioneve të krijuara nga sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit.
Hoxha tha se prioriteti kryesor i institucioneve shqiptare ka qenë siguria e qytetarëve shqiptarë në rajon. Sipas kryediplomatit, që nga nisja e krizës është ngritur një shtab i posaçëm, i cili ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike në vendet e rajonit.
Hoxha bëri të ditur se deri më tani 17 shtetas shqiptarë janë evakuuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Në fillim të konfliktit ne kemi pasur 2962 shqiptarë në rajon. Këta janë me qëndrim të përhershëm. 543 me qëndrim të përkohshëm. Të kontaktuar, 2511. Të interesuar për t’u larguar janë 138, ndërsa 17 shtetas u evakuuan në bashkëpunim me partnerët. Vështirësia më e madhe ka qenë në Iran ku ka shqiptarë, por nuk jemi të pranishëm atje e na është dashur të gjejmë modalitetet. Kemi qenë në marrëdhënie me Kryqin e Kuq dhe ekuivalentin e tij, Gjysmëhënën e Kuqe, që t’i ofrohet ndihmë shqiptarëve dhe t’i nxjerrim nga territori i Iranit.
Ministri theksoi se ndryshe nga disa vende të tjera, Shqipëria nuk ka mbyllur asnjë nga përfaqësitë e saj diplomatike në vendet e prekura.
Ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria s’ka mbyllur asnjë nga përfaqësitë diplomatike në vendet e prekura. Ka qenë shumë e rëndësishme që ne të kishim njerëzit tanë atje, në mënyrë të vazhdueshme e kontakt të vazhdueshëm. Kemi bërë regjistrimin e gjithkujt që ka aplikuar për ndihmë. Ia kemi dalë në masë shumë të madhe. Kemi komunikuar në forma nga më të ndryshmet, i kemi ndarë me kategori për të pasur një pasqyrë të qartë nëse do të na duhej të merrnim masa të veçanta.