Aktualitet Politikë

“S’kam nevojë për leje nga fansi i Zegjinesë”- Kryemadhi i kthehet me ironi Metës dhe Blushit: Kam vizë amerikane me hyrje të shumta!

Pas deklaratës së Ilir Metës, i cili e quajti “Zegjine e SPAK”, Monika Kryemadhi ka reaguar me ironi dhe tone thumbuese. Në një postim në rrjetet sociale, Kryemadhi mohon të jetë e penguar për të udhëtuar jashtë vendit dhe thekson se ka vizë amerikane me hyrje-dalje të shumta.

Ajo ironizon Metën duke e quajtur “fansi i Zegjinesë” dhe nuk lë pa përmendur Tedi Blushin, të cilin e quan “fansi i garderobës së saj”. Kryemadhi shton se nuk ka nevojë të marrë leje për të udhëtuar, përveç ditës kur është në “detyrim paraqitje” pranë SPAK.

Postimi duket si një kundërpërgjigje publike pas tensioneve në rritje mes saj dhe ish-bashkëshortit Meta, në një klimë akuzash dhe përçarjeje brenda radhëve të ish-aleatëve politikë.

 

Postimi i Monika Kryemadhit:

“Një sqarim i vogël në këtë ditë të nxehtë për të ftohur mendje të nxehura nga dezinformues tradicionalë”. Unë nuk jam e penguar nga askush për të lëvizur drejt Amerikës dhe çdo vendi tjetër dhe përveç ditës që drejtësia ka vendosur të jem në “detyrim paraqitje” pranë SPAK.

Siç e shikoni, viza amerikane është me disa hyrje-dalje dhe kjo është një gjë e vërtetueshme nga foto ose nga zyra e shtypit në ambasadën përkatëse. Nuk kam nevojë të marrë leje askund, madje as fansit të Zegjinesë, e as fansit të garderobës sime Tedi Blushit, për të udhëtuar drejt çdo vendi ku kam viza pune.