Monika Kryemadhi ka dalë nga ambientet e SPAK ku ajo u paraqit për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa u ndal për të dhënë një deklaratë për mediat.
E pyetur në lidhje me ish-bashkëshortin e saj Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli prej muajit tetor, Kryemadhi tha se ish-Presidenti informohet “vetëm për gjërat që i intereson grupit të njerëzve rreth tij”.
Ajo shtoi se “nuk i intereson më fare se çfarë mendon, thotë apo bën Meta”, ndërsa vijoi duke thënë se është e qetë në ndërgjegjen e saj për çdo veprim.
“Meta informohet për gjërat që u intereson grupi i tij i afërt, sepse ai është në izolim. Nuk më intereson më fare, të jem e sinqertë, se cfarë mendon zoti Meta e cfarë thotë e bën zoti Meta. Jam shumë e qetë në ndërgjegjen time për gjërat që kam bërë, bëj dhe do të bëj. Nëse kam bërë diçka që për juve është gabim e për mua nuk është, hajde ta diskutojmë”, u shpreh ajo.
Pas akuzave të SPAK se Monika Kryemadhi ka harxhuar 240 mijë dollarë në Beverly Hills e Las Vegas për veshje, hotele e bileta avioni, deputetja e Partisë së Lirisë mohon të ketë shpenzuar këtë shumë, por pranon udhëtimet.
“Kam qenë edhe në Beverly Hills, kam qenë edhe në Santa Monika, kam qenë edhe në Las Vegas. Kam qenë në Los Anxhelos, kam qenë me kushëririn tim Adrian Shatku, me tre fëmijët e mi, me kushërirën time Bebe Rexha. Kemi qenë për dhjetëvjetorin e vajzës time. Kanë qenë edhe disa mikesha të mia me fëmijët e tyre pranë”, tha Kryemadhi pasi doli nga SPAK.
“Më vjen shumë keq që babai i fëmijëve të mi vazhdon dhe ripërsërit deklaratat e Altin Dumanit, të Sotir Kllapit dhe të Arben Krajës, gjë që ka të bëjë çështje dhe këndvështrime të ndryshme të asaj që lexojmë në një dosje të përbashkët. Përsa i përket kartës për të cilën Ilir Meta flet me fjalët e Altin Dumanit, dua t’ju them diçka: Një kartë krediti në një bankë amerikane në radhë të parë… Duhet të merret të kesh një numër llogarie bankare. Pra, nuk mund të marrësh një kartë krediti pa llogari bankare. E para, e dyta. Nëse karta është e Monika Kryemadhit, duhet të ketë një kërkesë nga Monika Kryemadhi, që i drejtohet bankës amerikane dhe nëse karta tërhiqet, duhet të ketë përsëri marrjen e kartës në dorëzim me firmën e Monika Kryemadhit”, tha ajo.