Rëndohen akuzat ndaj ish-çiftit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. SPAK-u ka përpiluar raportin dymujor të hetimeve, duke ngritur dyshimet për një tjetër episod korrupsioni të kryer nga dy ish-bashkëshortët, nëpërmjet një karte bankare ku shpenzimet kapin vlerën e 240 mijë dollarëve. Sipas Prokurorisë së Posaçme, karta bankare ishte vendosur në dispozicion të tyre nga biznesmeni shqiptaro-amerikan Adrian Shatku.
Me anë të kësaj karte, dyshohet se për periudhën dhjetor 2014-nëntor 2017, Monika Kryemadhi ka shpenzuar shumën e sipërpërmendur për blerje në dyqanet e veshjeve në Londër, Vjenë, Las Vegas, Beverly Hills; pagesa të qëndrimit në hotel në Londër, Nju Jork e Las Vegas, si dhe bileta avioni për udhëtimet.
Shpenzimet e kryera nga Monika Kryemadhi me kartën American Express Centurion me numër XXXX XXXXXS-31017, për periudhën dhjetor 2014- nëntor 2017 kapin vlerën 234,677.83 USD. Sipas përshkrimit të llojit të shërbimit, pagesat e kryera nga Monika Kryemadhi janë kryesisht për blerje ne dyqanet e veshjeve në Londër, Vjenë, Las Vegas, Beverly Hills; pagesa të qëndrimit në hotel në Londër, Nju Jork e Las Vegas, si dhe bileta avioni për udhëtimet, thuhet në raportin e SPAK-ut.
Më herët, ish-presidenti Meta ka mohuar të ketë lidhje me këtë kartë bankare, duke u distancuar nga veprimet e ish-bashkëshortes. SPAK-u përfundoi hetimet për dosjen CEZ-DIA, lobimin e ish-LSI/së në SHBA dhe hetimin pasuror ndaj Ilir Metës e Monika Kryemadhit. Çifti i divorcuar pak kohë më parë u hetua për korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim e fshehje pasurie.
Kujtojmë se SPAK-u e akuzon Metën për veprat penale “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Sipas SPAK-ut, janë dokumentuar disa episode ku Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në bashkëpunim mes tyre e me të tjerë funksionarë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale. Më tej, Prokuroria e Posaçme shpjegon se akuzat nisin që me atë të CEZ-DIA/s.