Aktualitet

Skandali i mandarinave me pesticide, denoncimi: BE-ja vazhdon kthimin e ngarkesave!

Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar, Ervin Resuli bën denoncim mbi një ngarkesë tjetër nga Shqipëria me mandarina me nivele tw larta pesticidesh, të zbuluar nga sistemi i alarmit RASFF në BE. Sipas tij ministria e Bujqësisë po hesht, përballë këtij alarmi. Në Facebook, shkruan:

Raste të reja me prezencë të clorpirifosit në mandarina shqiptare

Ende pa u mbyllur rezultatet e tre ngarkesave të para për praninë e clorpirifosit në mandarina, sistemi i alarmit RASFF në BE ka lëshuar përsëri njoftim më 20 dhjetor për ngarkesa të tjera me pesticide të larta në mandarina nga Shqipëria!

Ku është Ministria e Bujqësisë?

Ministria ka për detyrë të mbrojë konsumatorin shqiptar dhe të sigurojë standardet e sigurisë ushqimore. Pse po vonohen analizat dhe nuk po publikohen rezultatet? A ka dikush interesa në Ministrinë e Bujqësisë që lejon popullatën shqiptare të konsumojë produkte me nivele të rrezikshme të pesticideve?

Kjo situatë është një këmbanë alarmi për shëndetin e qytetarëve dhe për reputacionin e produkteve tona bujqësore. Institucionet përkatëse duhet të reagojnë menjëherë dhe të garantojnë që produkte të tilla të mos përfundojnë në tryezat tona.

Për mandarinat me pesticide, më herët, Ministria e Bujqësisë njoftoi se ka bërë kallëzim penal për grumbulluesit dhe se  shkelësit janë gjobitur, duke iu bllokuar aktiviteti. Sipas njoftimit zyrtar, nga 924 kamionë të eksportuar, vetëm tre ngarkesa janë konstatuar me probleme. Njëra prej tyre u kthye dhe u asgjësua në Shqipëri, ndërsa dy të tjera janë trajtuar në Kroaci. Masat përfshijnë asgjësimin e produkteve të papërshtatshme, si dhe ndjekjen penale për subjektet përgjegjëse.