Sport

Skënderbeu befason Dinamon e Ilir Dajës, e mposht me dy gola në çerekfinalen e Kupës

Dinamo është mposhtur nga Skënderbeu me rezultatin 0-2. Kjo ishte sfida e parë e vlefshme për çerekfinalen e Kupës dhe u luajt në “Elbasan Arena”.

Bardhekuqtë e Ernest Gjokës e zgjidhën takimin në pjesën e dytë, konkretisht në minutën e 51-të dhe 56-të. Fillimisht ishte Bismark që zhbllokoi takimin, ndërsa më pas autogoli i Loran solli avantazhin e dyfishtë.

LEXO EDHE: Shumë “luftë” mes Elbasanit dhe Vllaznisë, kualifikimi në Kupë do vendoset në ndeshjen e dytë

Nëse pjesa e parë foli për dinamovitët, në të dytën korçarët u treguan konkretë duke krijuar disa raste. Diçka e tillë erdhi pas aktivizimit të Rashicës.

Për të vulosur kualifikimin, mbetet takimi i kthimt që do të luhet në Korçë. Të besuarit e Ilir Dajës duhet të surprizojnë, pasi ishin ato që u befasuan në shtëpi.

Një ditë më parë Elbasani dhe Vllaznia barazuan pa gola. Po në shifrat 0-0 përfundoi edhe Laçi-Partizani, ndërsa  Egnatia fitoi 3-1 në transfertë ndaj Bylisit. Ndeshjet e kthimit do të luhen më 26 shkurt.

Trajneri i Skënderbeut, Ernest Gjoka, ka theksuar se fitorja e sotme ndaj Dinamos, ishte vijim i paraqitjes së skuadrës edhe në kampionat ndaj bluve.

“Do më interesonte shumë më shumë trepikëshi i kampionatit që më iku në momentet e fundit.

Ndryshimet në ekip? Janë të rëndësishme këto lloj lëvizjesh, mendoj se më e rëndësishme për ne është të gjejmë veten e vazhdojmë për fitore në kampionat, është më e rëndësishme se nuk jemi aty ku duhet me pikët në kampionat.

Dinamo është një kundërshtar i vështirë, sidomos për mbajtjen e topit, është skuadër që i pëlqen qarkullimi, hyn mes linjash dhe e bën të vështirë. Ne si skuadër punuam që t’ia vështirësonim sa më shumë këtë situatë në metrat para portës. Ndeshja e kampionatit ishte thuajse e njëjtë, por na mungonte Bismarku, Rashicën ndoshta e vumë në një pozicion ku nuk i marrim 100%. Sot ishte ishte një situatë tjetër me Bismark dhe këto janë ndryshimet. Sigurisht edhe nga puna e skuadrës.

Rashica është pikë shumë e fortë e Skënderbeut dhe po mundohemi të përgatitim edhe të tjerë se është fakt që do ikë. Por do e shfrytëzojmë maksimalisht sa e kemi. Për momentin e parë, ndoshta kush futet nuk është 100% në funksionin që i jep Rashica skuadrës, por kam besim që me ardhjet e reja, apo edhe Lukas, do të arrijmë me inteligjencë e eksperiencë të mbulojmë këtë mungesë të madhe”, tha Gjoka.