Sport

Skënderbeu pëson humbjen e parë! Korçarët sherr me njëri-tjetrin!

Kategoria e Parë e futbollit në Shqipëri mbylli raundin e nëntë. Këtë të mërkurë duke nisur nga ora 14:00 u zhvilluan pesë takime, ku nuk munguan surprizat.

Në Fushë-Krujë, vendasit e Kastriotit ia dolën të fitonin 3-2 kundër kryesuesve të Skënderbeut. Tension dhe protesta nga krutanët, që braktisën për disa çaste fushën pas golit me penallti nga Skënderbeu. Sfida nisi mirë për miqtë që gjetën golin me Abubakar në minutën e 27-të.

LEXO EDHE: PSG thyen rekordin historik të të ardhurave, 837 milionë euro në sezonin 2024-25

Pas golit pati protesta nga Kastrioti në drejtim të kryesorit Laver Alla për një pozicion jashtë loje, ndërsa krutantë u tërhoqën për disa minuta nga fusha dhe u rikthyen në lojë. Vijimi i lojës solli edhe përmbysjen e rezultatit me dopietën e Kapllanit. Në fraksionin e dytë korçarët mbetën me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Shaqes, ndërsa dy futbollistë të miqve u grindën mes tyre për të vijuar lojën sa më shpejt. Në fund 3-2 dhe Skënderbeu pëson humbjen e parë sezonale, paçka se kryeson renditjen.

LEXO EDHE: Revolta e Vinicius pas zëvendësimit në “El Clasico”, braziliani i kërkon falje të gjithëve përveç…

Në stadiumin e Luzit, Besa mori fitoren e parë për këtë sezon duke mposhtur 3-1 Kukësin në 100 vjetorin e klubit verdhezi. Në stadiumin e Gjirokastrës vendasit e Luftëtarit ndalën 0-0 Laçin. Tri pikë edhe për Pogradecin në Peshkopi, ndërsa Burreli dhe Lushnja barazuan pa gola.

Pas javës së nëntë, Kategorinë e Parë e kryeson Skënderbeu me 22 pikë, ndjekur nga Laçi me 17-të. Në zonën e promovimit janë Pogradeci, Iliria, Apolonia dhe Burreli.

Kategoria e Parë, raundi 9-të:

E martë, 28 tetor 2025

Apolonia 0-0 Iliria

E mërkurë, 29 tetor 2025 14:00

AF Luftëtari 0-0 Laçi

Besa 3-1 Kukësi

Burreli 0-0 Lushnja

Kastrioti 3-2 Skënderbeu

Korabi 1-2 Pogradeci