Kompania Snap Inc. ka bërë të ditur se syzet e reja të realitetit të shtuar (AR), të quajtura “Specs”, do të dalin për herë të parë në treg për publikun në vitin 2026. Lajmi u bë publik gjatë panairit të teknologjisë AWE 2025 në Kaliforni, ku CEO i Snap, Evan Spiegel, i quajti syzet “kompjuteri personal më i avancuar në botë”. Specs do të kenë “lente transparente” që shtojnë përvoja digjitale mbi botën reale.
Snap ka investuar mbi 3 miliardë dollarë në zhvillimin e syzeve AR gjatë 11 viteve të fundit. Gjithashtu, kompania njoftoi bashkëpunime të reja me OpenAI, Google Gemini dhe Niantic për përvoja të avancuara me inteligjencë artificiale. Për gjigandin e teknologjisë Apple, iPhone-t e modeleve të fundit, orët inteligjente, laptopët, tabletat apo dhe pajisjet e tjera teknologjike nuk mjaftojnë, për të “pushtuar” tregun global.
Sipas një raporti të fundit të “Bloomberg”, Apple, ka në plan të lançojë syze me Inteligjencën Artificiale deri në fund të vitit 2026. Kur konkurrenca mes kompanive teknologjike për përdorimin e Inteligjencës Artificiale po bëhet gjithnjë dhe më e madhe, Apple nuk lë “shteg të hapur”, për ta sfiduar. Prodhimi masiv i prototipeve pritet të fillojë në fund të vitit 2025 në bashkëpunim me furnizues të huaj.
Drejtori i Teknologjisë së Informacionit i Meta-s, Andrew Bosworth, ka thënë se nuk mendon se syzet inteligjente do të jenë në gjendje të zëvendësojnë telefonat inteligjentë në të ardhmen e afërt. “Kjo është shumë e gabuar. Telefonat inteligjentë janë të pabesueshëm dhe jo vetëm që janë pajisje të shkëlqyera, por janë edhe të përshtatshme. Ne jemi mësuar me to”-citohet të ketë thënë ai gjatë një interviste në samitin Bloomberg Tech në San Francisko. Bosworth theksoi se smartfonët përfitojnë nga të paturit e një “ekosistemi tepër të ndërlikuar softuerësh të lidhur me pjesën tjetër të botës përreth nesh”.