Për gjigandin e teknologjisë Apple, iPhone-t e modeleve të fundit, orët inteligjente, laptopët, tabletat apo dhe pajisjet e tjera teknologjike nuk mjaftojnë, për të “pushtuar” tregun global. Sipas një raporti të fundit të “Bloomberg”, Apple, ka në plan të lançojë syze me Inteligjencën Artificiale deri në fund të vitit 2026. Kur konkurrenca mes kompanive teknologjike për përdorimin e Inteligjencës Artificiale po bëhet gjithnjë dhe më e madhe, Apple nuk lë “shteg të hapur”, për ta sfiduar. Prodhimi masiv i prototipeve pritet të fillojë në fund të vitit 2025 në bashkëpunim me furnizues të huaj.
Drejtori i Teknologjisë së Informacionit i Meta-s, Andrew Bosworth, ka thënë se nuk mendon se syzet inteligjente do të jenë në gjendje të zëvendësojnë telefonat inteligjentë në të ardhmen e afërt. “Kjo është shumë e gabuar. Telefonat inteligjentë janë të pabesueshëm dhe jo vetëm që janë pajisje të shkëlqyera, por janë edhe të përshtatshme. Ne jemi mësuar me to”-citohet të ketë thënë ai gjatë një interviste në samitin Bloomberg Tech në San Francisko. Bosworth theksoi se smartfonët përfitojnë nga të paturit e një “ekosistemi tepër të ndërlikuar softuerësh të lidhur me pjesën tjetër të botës përreth nesh”.
Kjo e bën më të ngadaltë dhe më të vështirë për njerëzit që të kalojnë në syze inteligjente, shtoi ai. “Pra, mendoj se kjo do të kërkojë një udhëtim më të gjatë…”-tha ai. Bosworth vlerësoi kufjet Vision Pro të Apple gjatë intervistës së tij me Bloomberg, por tha se kompania bëri një “gabim fillestar” kur e bëri pajisjen shumë të rëndë.
“Pra, nga pikëpamja inxhinierike, është e mrekullueshme dhe urime atij ekipi. Nga pikëpamja e produktit, mund të thuash se është oferta e tyre e parë në këtë fushë. Produktet e gjeneratës së parë janë të vështira. Vetëm në gjeneratën e dytë ose të tretë e kupton dhe e përsos vërtet këtë gjë, dhe ata bënë shumë gabime në këtë aspekt për sa i përket peshës dhe vendit ku ishte pesha”-vazhdoi ai.
Bosworth nuk është i vetmi drejtues i Meta-s që mendon se telefonat inteligjentë nuk do të zëvendësohen nga syzet inteligjente. Drejtori ekzekutiv i gjigantit të mediave sociale, Mark Zuckerberg, tha në një podcast me The Verge në shtator se nuk mendonte se “njerëzit do të heqin qafe telefonat së shpejti”.