Partia Social-Demokrate e Rumanisë, e cila aktualisht është në pushtet në vendin e Bashkimit Europian, duket në prag të shënimit të fitores në zgjedhjet parlamentare të një dite më parë, për të nisur më herët bisedimet në lidhje me formimin e një koalicioni pro-perëndimor. Votimet e 1 dhjetorit u mbajtën një javë pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale në këtë shtet, në të cilat një kandidat pro-rus i të djathtës ekstreme ka arritur që të kalojë në raundin e dytë zgjedhor e përgatitet për balotazhin e 8 dhjetorit.
Gjykata Kushtetuese e këtij vendi ka urdhëruar rinumërimin e votave të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Banorët e Rumanisë, që përveçse vend anëtar i Bashkimit Europian është edhe pjesë e NATO-s janë në pritje të rezultateve përfundimtare, pasi ato paraprake po tregojnë se Partia Social-Demokrate (PSD) ka më shumë vota se partia ultranacionaliste e ekstremit të djathtë, Aleanca për Unitet e Rumunëve (AUR).
Pas numërimit të 99.3% të votave, forca politike PSD ka siguruar 22.7% të votave ndërsa AUR, mundi të marrë vetëm 18.2%. Subjekti që pritet të fitojë më së shumti vota do të ketë të drejtën e propozimit të kandidatit për kryeministër në shtetin rumun. Nëse asnjëra parti politike, siç edhe pritet, nuk do të fitojë shumicën parlamentare, atëherë do të nisin negociatat që nuk konsiderohen shumë të lehta në lidhje me formimin e qeverisë rumune e gjithçka do të varet edhe nga rezultati i raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale e që do të mbahen të dielën e kësaj jave, më 8 dhjetor.
Dalja në zgjedhjet e djeshme e personave me të drejtë vote ka qenë në nivelin 52.36% e që do të thotë se 9.43% e zgjedhësve e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës dhe kjo është shifra më e lartë në 12 vitet e fundit. Në këtë proces zgjedhor nuk është raportuar për ndonjë parregullsi të ndjeshme.