Bota

Rumania denoncon shkeljen e hapësirës ajrore nga një dron rus!

Pas sulmit të dhunshëm rus të një dite më parë ndaj disa qyteteve në Ukrainë, ku u vranë 14 persona dhe u plagosën rreth 100, sistemet radarë të Rumanisë zbuluan gjatë natës një dron që kishte shkelur hapësirën ajrore kombëtare gjatë një ofensive të Federatës Ruse kundër Ukrainës fqinje, përpara se të humbeshin gjurmët e tij në juglindje të fshatit kufitar Chilia Veche. Këtë e bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes në Bukuresht.

Rumania, vend anëtar i Bashkimit Europian dhe NATO-s, ndan me Ukrainën një kufi tokësor prej 650 kilometrash dhe është përballur disa herë me shkelje të tilla nga dronët, si dhe me rënien në territorin e saj të fragmenteve të mjeteve fluturuese, që kur Rusia ka filluar të godasë portet ukrainase në Danub, të vendosura pranë kufirit rumun.

Ministria e Mbrojtjes në Bukuresht i ka dënuar ashpër veprimet e Federatës Ruse, duke i cilësuar si “një kërcënim për sigurinë rajonale dhe një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare”. Autoritetet ushtarake rumune kanë njoftuar se një ekip do të dërgohet për të kryer verifikime në zonën ku u konstatua kalimi i dronit.

Gjatë natës, forcat ruse të mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 62 dronë ukrainas. Kjo u bë e ditur nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë:

Natën e kaluar u penguan përpjekjet e regjimit të Kievit për të kryer sulme terroriste duke përdorur 62 dronë të tipit ajror kundër objektivave në territorin e Federatës Ruse.