Sot afati i fundit për plotësimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (afati i fundit të dorëzimit të DIVA është 31 Mars, por për shkak të festës së Fitër Bajramit, u bë 1 prilli). Nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve parashikohet që numri i deklaruesve të DIVA-s 2024 të jetë mbi 144 mijë individë, duke pasur parasysh që me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, me uljen e kufirit nga 2 në 1,2 milion, ky numër pritet të jetë shumë më i lartë se vitet e mëparshme.
Numri i deklaruesve të rinj llogaritet të shtohet në mbi 70 mijë individë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar tatimpaguesit se detyrim për plotësimin e DIVA-s 2024 kanë 3 kategori.
DIVA dorëzohet e plotësuar brenda 1 prillit për gjithë individët me të ardhura vjetore bruto mbi 1,2 milion lekë.
Përveç ndryshimit të afatit të plotësimit dhe dorëzimit të deklaratës, me hyrjen në fuqi të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, ulet edhe pragu i detyrimit mbi deklarimin për të punësuarit në Shqipëri.
Deri më tani këtë detyrim e kishin individët me të ardhura vjetore bruto mbi 2 milion lekë në vit.
Individët që kanë realizuar të ardhura të patatuara, mbi 50 mijë lekë në vit nga çdo kategori tjetër të ardhure, por që nuk i nënshtrohen mbajtjes së tatimit përfundimtar në burim kanë detyrimin e deklarimit, pavarësisht totalit vjetor të të ardhurave bruto të realizuara.
Për individët në marrëdhënie punësimi, me më shumë se një punëdhënës, mënyra e plotësimit dhe dorëzimit të DIVA-s 2024 nuk ndryshon.
Pra, të dy punësuarit do të vijojnë të kenë detyrimin të plotësojnë deklaratën pavarësisht nëse e arrijnë kufirin prej 1,2 milion lekësh në vit apo kanë realizuar të ardhura nën këtë nivel.
Subjekt i këtij deklarimi është çdo individ që gjatë vitit 2024, plotëson të paktën një prej kritereve të mëposhtme:
1. Ka realizuar të ardhura bruto, nga të gjitha burimet me një total të barabartë ose më shumë se 1.200.000 lekë.
2. Ka qenë në më shume se një marrëdhënie punësimi, pra rezulton në më shumë se një listë-pagesë, në të paktën një muaj.
3. Pavarësisht se nuk plotëson asnjë nga kushtet e mësipërme, nëse gjatë vitit 2024 ka realizuar të ardhura më shumë se 50.000 lekë, për të cilat nuk është mbajtur tatim (p.sh një qiradhënie për individë të paregjistruar, si qira ditore apo nga platformat Booking, AirBnB, etj.)
Më herët, administrata tatimore njoftoi se në dorëzimin e DIVA-s 2024, detyrim do të jetë edhe deklarimi i i të ardhurave të individëve nga platformat e rrjeteve sociale. Nga verifikimet paraprake të administratës tatimore, rezultuan rreth 33 milion euro të ardhura të gjeneruara nga individët nëpërmjet platformave të rrjeteve sociale META, Youtube dhe Google që duhen të deklarohen te DIVA 2024.
Në ditën e parafundit të deklarimit, për shkak të fluksit të lartë të lartë të deklaruesve, për rreth dy orë, faqja e Tatimeve rezultoi e paaksesueshme. Tatimpaguesit hasën probleme për deklarimin final edhe pas rregullimit të faqes.
Deklarata aktuale paraplotësohet nga sistemi e-Filing me të ardhurat të deklaruara nga paga, në listëpagesat, kudo që individi është regjistruar, si i punësuar, përfshirë tatimin e përllogaritur dhe tatimin e paguar. Për deklarim të vonuar, penaliteti për individët është 3 mijë lekë.