Rajoni

Sot betohen tre kryetarët e komunave në veri të Kosovës!

Në veri te Kosovës, sot pritet te betohen tre kryetarët e rinj të komunave të Leposaviçit, Zubin Potokut e Zveçanit. Të tre komunat janë me shumicë serbe. Qeveria Kurti bëri të ditur se për arsye sigurie, drejtuesit e rinj do të betohen në ndërtesa publike në këto komuna e jo në godinat e kuvendeve komunale.

Në Leposaviç, kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi, do ta bëjë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”. Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, pritet ta bëjë betimin solemn në Çabër, në objektin e zyrës komunale për komunitete. Në Zveçan, kryetari Ilir Peci do ta bëjë betimin solemn në fshatin Boletin.

Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok u mbajtën pasi drejtuesit e mëparshëm nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar.

Masivisht, pjesëtarët e komunitetit serb bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, pra kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se qytetarët e serbë janë intimiduar nga Beogradi zyrtar për të mos dalë në votime. Sipas tij, qeveria e Kosovës synon të funksionalizojë institucionet dhe punën në këto komuna, që të garantohen shërbimet publike për të gjithë qytetarët.

Kjo nuk është zgjedhje, është obligim i yni. Këtë angazhohemi ta bëjmë duke mbrojtur të drejtat e njeriut, liritë civile, sundimin e ligjit, pluralizmin politik, paqen dhe sigurinë në vend, sepse të gjitha këto janë normale në demokraci dhe në Republikë.

Pas betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç tha se me këtë “zyrtarisht filloi pushtimi i veriut e do të përfundojë kur të vendosin serbët”. Simiç i dha afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që deri më 1 qershor “të ndalë represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.