Aktualitet Politikë

Sot protesta e PD, Berisha: Janë 1.2 mld euro në vetëm 2 dosje. Lulet e AKSHI-t i ujiste linda e Surrelit!

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama se nuk do të japë autorizim për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, çka do t’i hapte rrugë arrestimit të saj, para 22 janarit.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh pasuritë të cilat diskutohen në dosjet në hetim, janë vetëm deri tani1.2 miliardë euro, ndaj opozita do të vijojë revoltën deri në përmbysjen e regjimit.

“Do të bëjmë çdo përpjekje që para shikohet nga ligji, por do i bëjmë me bindjen se Rama pa dorëzuar veten nuk dorëzon Ballukun. Janë 1.2 mld euro në vetëm 2 dosje.
Ka dalë edhe dosja e AKSHI-t, lulet e atij kopshti i ujiste linda e Surrelit. Ishin marrë 3 pengje dhe ndoshta gjëra më të mëdha. Rama e ka të qartë se mbi të rëndojnë krime të përmasave që dalin jashtë parashikimeve. Opozita zbret në shesh me bindjen të zhdukë narko shtetin”, tha ai.

Kreu i PD, Sali Berisha ka deklaruar se ajo që ndodhi gjatë të enjtes në Kuvend, me flakadanë, kaos dhe tension, ishte vetëm një reagim pasi deputetëve të opozitës iu ndërprenë hapësirat e saj në Parlament.

Berisha tha se beteja do të vijojë brenda dhe jashtë Kuvendit.

“Parlamenti do të shndërrohet në tempullin e lirisë së shqiptarëve. Beteja jonë vijon në Kuvend, rreth dhe jashtë tij. Kurrë nuk jemi gjetur kaq rrugë shtruar dhe punë mbaruar si këtë radhë. Ajo që patë në Kuvend ishte pasojë pasi na u mbyll çdo hapësirë. Rama mori Parlamentin pasi mori GJK. Shkelmoi Rregulloren e Kuvendit”, tha ai.

Kreu i PD-së përsëriti thirrjen e tij për Adriatik Lapajn dhe partitë e tjera opozitare që t’i bashkohen protestës së opozitës, kundër kësaj qeverie.

“Nuk matet gjëja me numra. Mësimi i historisë së Shqipërisë ka vlerë botërore. Pakicat që kanë fituar kundër stërshumicave nuk gjen kund tjetër. Ne dalim aty me guximin e shqiptarit, me idealet më fisnike të njeriut, për të larguar këtë njeri që mori licencën nga Gjykata Kushtetuese. Licencën mund t’ia japë gjykata, por jo jetëgjatësinë populli”, pohoi ai.