Aktualitet

Sot provimi i parë i Maturës Shtetërore/ 27 mijë maturantë për Gjuhën e Huaj!

Rreth 27 mijë maturantë sot zhvillojnë provimin e parë të Maturës Shtetërore, të Gjuhës së Huaj. Nxënësit duhet të paraqiten në ambientet e shkollës në orën 08:30 ndërsa provimi nis më 10:00 e zgjat 2 orë e gjysmë. Nxënësit duhet të kenë me vete mjet identifikimi (kartë ID ose pasaportë) dhe të paktën dy stilolapsa.

Gjatë provimit, nxënësit duhet të kenë veshje të rregullt, uniforma e shkollës. Gjatë kohës së provimit ndalohen rreptësisht: telefonat dhe ora smart.

Rregulla gjatë provimit:

Nxënësit duhet të përdorin stilolaps me një ngjyrë dhe kurrë më shumë se një ngjyrë në plotësimin e testit;

Firmosni kur merrni dhe dorëzoni testin;

Kontrolloni testin për pasaktësi ose paqartësi në lexim;

Nuk lejohet largimi para orës 12:30;

Sjellje korrekte dhe vëmendje gjatë testit.

Provimet, përfshirë Gjuhën e Huaj, Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, Matematikën dhe testin me Zgjedhje zhvillohen nga sot e deri më 24 qershor.  Gjuha Shqipe dhe Letërisa, në datën 10, Matematika më 17 qershor ndërsa Provimi me Zgjedhje më 24. Ky i fundit ofron gamë të gjerë lëndësh, duke përfshirë: Shkencat e Natyrës: Kimi, Fizikë, Biologji, Shkencat Shoqërore: Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi e Sociologji dhe Ekonomia e Artet: Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti.

Për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë shumë më herët në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin e provimeve në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur.