Rajoni

PDK-ja nuk merr pjesë në votimin për kryeparlamentarin e Kosovës/AAK-ja po!

“Pa një zgjidhje të qëndrueshme për vendin”, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në votimin për kryeparlamentarin e ri gjatë seancës së konstituimit të Kuvendit, të caktuar për nesër. Por, ndryshe u shpreh Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që tha se në parim është për konstituimin e legjislaturës së IX të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Deputeti i zgjedhur nga PDK-ja, Mërgim Lushtaku, deklaroi se partia e tij mendon se zgjidhja e qëndrueshme është që kandidati i saj për kryeministër, Bedri Hamza, të drejtojë ekzekutivin e ri.

PDK-ja ka zhvilluar takime me partitë e tjera që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë dhe u bën thirrje që të ketë një qëndrueshmëri në premtimet që kanë bërë sa i përket moszgjedhjes së kryeministrit në detyrë, Kurti apo mosdhënies së mundësisë Kurtit 3.

Megjithatë, pas regjistrimit si deputet në legjislaturën e re, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në parim, partia e tij do të votojë për kryeparlamentarin e ri, që sipas ligjeve duhet të propozohet nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

Kuptohet, ne do të bëjmë konsulta edhe me partitë e tjera opozitare, me PDK-në e LDK-në. Por, besoj që konstituimi i Kuvendit është interes i të gjithëve.

Sa i përket krijimit të qeverisë së re, Haradinaj deklaroi se po punon që të krijohet nga partitë opozitare. Megjithatë, tha se bërja e shumicës nga opozita është ndërlikuar për shkak të deklaratës të kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, se nuk ka vija të kuqe për bashkëpunim me LVV-në.

Limaj, në zgjedhjet e 9 shkurtit garoi në koalicion me AAK-në dhe fitoi tre vende në Kuvend. Partia e Haradinajt, pesë të tjera.

Ka qenë shumë i vështirë krijimi i shumicës nga opozita. Pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe më të vështirë. Ka qenë i parakohshëm dhe nëse Nisma dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne. Por, është një ndarje mjaft e turpshme pasi kemi kërkuar votë për ndryshim dhe sjellja e tyre dhe veprimi i tyre është mjaft i turpshëm, tha Haradinaj.

Sipas ligjeve, LVV-ja që ka fituar 48 vende në Kuvend, ka të drejtën që të propozojë kryeparlamentarin. Seanca e caktuar për nesër, konsiderohet e përmbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët, e deputetët e rinj të kenë bërë betimin. Për votimin e kryetarit kërkohen 61 vota.

Vetëm pas kësaj, LVV-ja do të mund të vazhdojë me përpjekjet për të formuar qeverinë e re, për të cilën po ashtu kërkohen 61 vota. Më herët, Kurti shprehej se synonte që brenda një dite të konstituohet kuvendi e të formohet qeveria.