Aktualitet

SPAK-u kërkon pushim hetimesh mbi 6 raste të shpërdorimit të detyrës për Elvis Roshin!

SPAK-u kërkoi pushimin e hetimeve lidhur me 6 episode të shpërdorimit të detyrës për ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi, për shkak të parashkrimit të veprës penale. Por, nuk do t’i shpëtojë ndjekjes penale. Ish-kryebashkiaku i Kavajës akuzohet për 5 episode të tjera, po për shpërdorim detyre.

Çështja ndodhet në fazën e seancës paraprake ndërsa seanca e radhës mbahet më 28 prill. Hetimi pasoi një kallëzim të Kontrollit të Lartë i Shtetit për parregullsi në tendera kur ishte në krye të Bashkisë Kavajë.

Nga KLSH-ja, Roshi u kallëzua mbi 10 vite më parë në Prokurorinë e Kavajës, si i dyshuar me 10 zyrtarë të tjerë se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milion lekësh me tenderat e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.

Shkeljet u zbuluan pas një auditi të kryer në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Në listë renditeshin 12 tendera, kryesisht për rikonstruksionin e qendrës së qytetit e të disa rrugëve lidhëse, si edhe mbjelljen e pemëve dekorative.

Në dy raste, KLSH-ja e akuzoi Bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët.

Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët u skualifikua padrejtësisht, si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës. Çështja shkoi në Prokurorinë e Durrësit që kërkoi ta mbyllte, por një vendim i GJKKO-së vitin e kaluar urdhëroi hetimin e dosjes nga SPAK-u.

Më 17 maj 2025, SPAK i sekuestroi celularin Elvis Roshit dhe ushtroi kontrolle personale nën dyshimin për korrupsion në zgjedhjet e 11 majit, teksa bënte fushatë për kushëririn e tij, Elton Roshi, në Kavajë. Ai kandidonte për koalicionin PD-ADSHM.