Bota

Spanjë, 100% taksë për shtëpitë e blera nga ata që nuk janë banorë të BE-së!

Spanja po planifikon të vendosë një taksë deri në 100% për pronat e blera nga rezidentë nga vende jo anëtare të Bashkimit Europian, ashtu si edhe Britania e Madhe, sipas raportimeve nga BBC. Duke njoftuar këtë masë, kryeministri Pedro Sanchez tha se është “e paprecedentë”, por e nevojshme për të përmbushur urgjencën e strehimit të vendit.

“Perëndimi përballet me një sfidë vendimtare: Të mos bëhet një shoqëri e ndarë në dy klasa, pronarët e pasur dhe qiramarrësit e varfër. Banorët nga shtetet jo anëtare të Bashkimit Europian, BE, blenë 27 mijë prona në Spanjë në vitin 2023, jo për të jetuar, por për të fituar para prej tyre”, u shpreh shefi i qeverisë në një forum ekonomik në Madrid.

Gjë që, në kontekstin e mungesës në të cilën ndodhemi, padyshim që ne nuk mund ta lejojmë. Prandaj, lëvizja ka prioritet që shtëpitë në dispozicion të jenë për banorët.

Sanchez nuk dha detaje se si do të funksiononte taksa dhe as një afat kohor për paraqitjen e masës në parlament për miratim, ku ai shpesh ka luftuar për të mbledhur vota të mjaftueshme për të miratuar ligje të ndryshme. Por, qeveria e tij tha se propozimi do të finalizohej pas një studimi të kujdesshëm.

Masat e tjera të shpallura përfshijnë një përjashtim nga taksat për pronarët që ofrojnë strehim të përballueshëm, transferimin e më shumë se 3 mijë shtëpive në një organ të ri të banesave publike dhe rregullore më të rrepta e taksa më të larta për banesat turistike.

Nuk është e drejtë që ata që kanë tre, katër apo pesë apartamente me qira afatshkurtër të paguajnë më pak taksa se hotelet, vuri në dukje Sanchez.