Bota

Spektakël astronomik, sot eklipsi diellor në Hemisferën Jugore!

Sot qielli do të ofrojë një spektakël astronomik të jashtëzakonshëm, por të rezervuar për një numër të vogël vëzhguesish. Ky do të jetë një eklips diellor i pjesshëm, me mbulim prej 78% dhe i dukshëm vetëm nga rajonet e largëta të Hemisferës Jugore: zona më jugore e Zelandës së Re e pjesë të Antarktidës.

Sipas të dhënave të publikuara nga institutet astronomike, fenomeni do të fillojë më 19:29 me orën tonë, me kulmin e pritur më 21:41 të mbrëmjes. Një gjë e tillë përkon me pragun e ekuinoksit të pranverës në Hemisferën Jugore dhe përfaqëson eklipsin e dytë të pjesshëm të vitit 2025 duke parashikuar ngjarjet kryesore të planifikuara për vitet e ardhshme.

Një fenomen i rrallë i kufizuar në Hemisferën Jugore

Pavarësisht natyrës spektakolare, vetëm pak njerëz do të jenë në gjendje ta shijojnë personalisht. Pamja është e kufizuar në zonat me popullsi të pakët, të tilla si Antarktida dhe disa zona të Zelandës së Re jugore. Në qytetin e Aucklandit, për shembull, eklipsi do të fillojë më 06:10 të mëngjesit sipas kohës lokale më 22 shtator, duke arritur kulmin në orën 06:55 po të mëngjesit e duke përfunduar më 08:04 minuta. Globalisht, magnituda maksimale e vlerësuar do të jetë 0.855, me një errësim deri në 80% të sipërfaqes diellore.

Sipas parashikimeve astronomike, eklipsi do të ndodhë midis orës 17:29 dhe 21:53 UTC, ose ndërmjet orës 19:29 e 23:53 në Shqipëri. Eklipsi maksimal diellor që mbulon 78% të diskut diellor do të jetë më 21:41 me orën shqiptare. Edhe pse nuk mund të vëzhgohet nga territori shqiptar, fenomeni do të ndiqet drejtpërdrejt nga institute të shumta kërkimore dhe platforma shkencore, me transmetime të drejtpërdrejta të destinuara për një audiencë ndërkombëtare.

Datat e ardhshme të eklipsit diellor:

Pas eklipsit të shtatorit, kalendari astronomik shënon të tjera data të rëndësishme. Më 17 shkurt 2026, pritet një eklips unazor, i dukshëm nga Amerika e Jugut, Afrika e Jugut dhe Antarktida. Por më i rëndësishmi do të jetë eklipsi total i 12 gushtit 2026, i përcaktuar nga ekspertët si një nga ngjarjet më të rëndësishme astronomike të dekadës. Në atë rast, trajektorja e totalitetit do të kalojë nëpër Islandë, Groenlandë dhe Spanjën veriore.