Agjencia Hapësinore Evropiane (ESA) ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme me realizimin e eklipsit të parë artificial diellor në hapësirë, pjesë e misionit të saj Proba-3.
Falë bashkëpunimit të dy satelitëve të vendosur me përpikëri 150 metra larg njëri-tjetrit, u morën imazhe të qarta të koronës diellore — atmosfera e jashtme e Diellit — të cilat ofrojnë një mundësi unike për të studiuar yllin tonë.
Proba-3 ka si qëllim kryesor testimin e një teknike novatore për vëzhgimin e Diellit përmes krijimit të eklipseve artificiale. Sateliti i quajtur “Occultator”, me një disk 1.4 metra në diametër, shërben për të mbuluar plotësisht sipërfaqen e Diellit, ndërsa “Coronograf” pozicionohet me saktësi milimetrike prapa tij për të kapur imazhet e “Diellit të mbuluar”.
Kjo metodë, e njohur që në lashtësi për vëzhgimin e shtresave të jashtme të Diellit gjatë eklipseve natyrore, është shumë e vështirë për t’u realizuar në hapësirë.
Dy satelitët e Proba-3 e kanë kryer me sukses këtë manovër të ndërlikuar në mënyrë të pavarur dhe e kanë përsëritur disa herë që nga marsi.
Fotografitë e publikuara së fundmi, të realizuara midis 23 dhe 25 marsit, janë bërë falë tre instrumenteve të sofistikuar që kanë në bord.
Këto imazhe shfaqin fenomene të rralla si era diellore dhe shpërthimet koronale masive — ngjarje që mund të krijojnë aurora mahnitëse, por që gjithashtu paraqesin rrezik për satelitët, rrjetet elektrike dhe sistemet e navigimit në Tokë.
Është një emocion i madh të shohësh këto pamje të mrekullueshme që konfirmojnë saktësinë e teknologjive tona në këtë mision të parë në botë për fluturim me formacion të kontrolluar me kaq precizion
-u shpreh Dietmar Pilz, drejtor i Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Cilësisë në ESA.