Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vlerëson se dalja e Shqipërisë nga lista e vendeve në monitorim dhe vendosja në proces post-monitorimi erdhi si rezultat i reformave të ndërmarra. Spiropali iu drejtua mbledhjes së Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që po zhvillon punimet në Tiranë.
Ndërsa përshëndeti vendimin e Këshillit të Europës për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista e vendeve nën monitorim dhe vendosjen në proces post-monitorimi, rikonfirmoi angazhimin e Kuvendit për të udhëhequr procesin e reformave dhe progresin e Shqipërisë në respektimin e detyrimeve e angazhimeve që burojnë nga ky status i ri.
Çështjet kryesore që kanë mbajtur Shqipërinë me status nën monitorim të plotë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, në mënyrë të përsëritur kanë qenë reformat gjithëpërfshirëse në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, reforma administrative-territoriale, ligji për mbrojtjen e pakicave, reforma zgjedhore, liria e medias, reforma në administratën publike.
Ky vit shënon 75-vjetorin e Këshillit të Europës, një moment historik që thekson rëndësinë e qëndrueshme të këtij institucioni në promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në gjithë kontinentin tonë.
Që në fillim të vitit 1990, Këshilli i Europës ka qenë një partner i palëkundur i kalimit të Shqipërisë nga një regjim totalitar në një demokraci të gjallë. Zgjedhjet e para pluraliste në mars 1991 shënjuan nisjen e këtij rrugëtimi kur Asambleja e Këshillit të Europës dërgoi grupin e parë të vëzhguesve në ato zgjedhje, që u faktua me dhënien e statusit të të ftuarit special për Shqipërinë në nëntor 1991.
Si prioritet strategjik kombëtar kemi përcaktuar anëtarësimin në BE brenda vitit 2030. Mbajtja e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE më 15 tetor dhe nisja e negociatave për grupkapitullin e parë “Themeloret” ishte moment thelbësor për Shqipërinë që reflektoi angazhimin tonë ndaj axhendës europiane dhe reformave transformuese.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ndër të tjera shprehu bindjen e saj se anëtarësimi i Shqipërisë brenda vitit 2030 është një qëllim i arritshëm.
Mobilizimi i faktorëve politikë e shoqërorë, arritjet e deritanishme dhe vullneti ynë për të përshpejtuar ritmin e integrimit, na bëjnë të besojmë se anëtarësimi i Shqipërisë brenda vitit 2030 është sa ambicioz edhe një qëllim i arritshëm.