Rajoni

Protesta e studentëve shqiptarë në MV, Spiropali: Gjuha shqipe është një e drejtë në Kushtetutë!

Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali reagoi në lidhje me protestën e studentëve për përdorimin e gjuhës shqipe, duke theksuar se mbrojtja e saj është një çështje dinjiteti dhe e drejtë themelore.

Spiropali vuri në dukje se ekziston një “vijë e hollë” mes dinjitetit dhe heshtjes, ndërsa nënvizoi se dalja në protestë për një të drejtë të garantuar me Kushtetutë tregon se diçka nuk po funksionon siç duhet në praktikë.

Të drejtat nuk duhet të mbeten vetëm në letër, por të zbatohen në jetën e përditshme. Gjuha shqipe nuk është çështje kompromisi apo interpretimi institucional.

Sipas Spiropalit, “protesta e studentëve është një thirrje për të forcuar standardet dhe për të garantuar të drejtat themelore, ndërsa një shtet që garanton gjuhën, forcon barazinë dhe besimin e qytetarëve”.

Në fund, shpreh mbështetje për studentët, duke e cilësuar këtë si një “provë për funksionimin e shtetit në praktikë, jo vetëm në parim, si dhe një sfidë të përbashkët për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt integrimit europian”.