Aktualitet Politikë

Sherr Spiropali-Ismaili, ndërhyn Rama: Mos më provoko të…

Mbledhja e grupit parlamentar të PS-së me ministrat ka prodhuar një përplasje mes Erjona Ismailit ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Elisa Spiropalit, ish-ministre e këtij diktasteri dhe ish-ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Burime nga kjo mbledhje i treguan gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, dinamikën e sherrit ku është përshirë edhe kryeministri Edi Rama.

Kur ministria Ismaili ishte duke folur lidhur me strategjinë e komunikimit, Elisa Spiropali ka nisur të qeshë.

Ky gjest u pa nga Ismaili, e cila iu drejtua me fjalët:

Zonja Spiropali, s’ke pse qesh.

Ish-ministrja që ka qenë edhe kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, iu përgjigj me një “Urdhëro?” dhe i tha ministres se duhet t’i kërkojë falje.

Të njëjtat burime tregojnë se Rama iu drejtua Spiropalit me fjalët:

Ti mos e hap gojën fare, fare! Ti mos fol fare, të paktën në prezencën time. Nuk ndërhyn dot teksa po flet Erjona.

Përplasja nuk mbaroi me kaq, pasi Spiropali ka këmbëngulur në kërkimin ndjesë nga Ismaili.

Burimet thanë se në këtë moment, ndërhyri sërish kryeministri Rama, i cili iu drejtua Spiropalit:

Mos më provoko të të nxjerr përjashta.

Në fund, situatën e qetësoi Erion Braçe, i ulur pranë Spiropalit.

Ky debat vjen një javë pas atij në distancë mes Taulant Ballës dhe Elisa Spiropalit, për mungesën e saj në votimin e kërkesës së SPAK-ut në parlament për Belinda Ballukun.

Deklarata e Taulant Ballës se “nuk i marr vetëm vendimet, i marr me grupin parlamentar, do të pyes dhe grupin parlamentar për këtë çështje”, Elisa Spiropali iu përgjigj me një koment në Facebook ku shprehte gatishmërinë dhe dakordësinë e diskutimit në grup të mungesës së saj në seancë.

Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë, shkruante Spiropali.

Por, kjo nuk ndodhi dje në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar Socialist me ministrat.