Aktualitet

Sporti në zi/Ndërron jetë ish-basketbollisti Enea Andrea, vëllai binjak i Ema Andreas!

Ditët e fundit të vitit vijnë me lajmin për një humbje të rëndë për sportin e basketbollit dhe për Dinamon, pasi ish-basketbollisti Enea Andrea ndërroi jetë në mënyrë të papritur e të parakohshme, në moshën 54-vjeçare.

Ngjarja e hidhur ndodhi mëngjesin e sotëm, kur Enea Andrea, i cili po stërvitej në palestër, për fat të keq nuk mbijetoi. Rreth shtatë vjet më parë, ai kaloi një problem me zemrën, por pas asaj periudhe u rikthye në formën optimale fizike dhe vazhdoi të ushtrohej çdo ditë.

Enea Andrea ishte një emër i njohur për sportin e basketbollit shqiptar, duke luajtur për shumë vite me ekipin e Dinamos dhe duke qenë pjesë e ekipit kombëtar. Pas karrierës si lojtar, spikati si specialist dhe komentator në transmetimet televizive të basketbollit amerikan NBA, duke u bërë një figurë e njohur edhe në median shqiptare.

Përveçse për karrierën sportive, Enea ishte gjithashtu vëllai binjak i aktores së njohur shqiptare, Ema Andrea, aktualisht pjesë e programit “Goca dhe Gra”, në Top Channel.