Lifestyle Tech

Studim i ri: Hapësira përshpejton procesin e plakjes së qelizave të gjakut?

Një studim i mbështetur nga NASA ka zbuluar se qëndrimi në hapësirë mund të përshpejtojë plakjen biologjike të trupit të njeriut.

Sipas hulumtimit, qelizat e gjakut të dërguara në katër misione në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) filluan të humbnin aftësinë e tyre për të krijuar qeliza të reja të shëndetshme dhe shfaqën dëmtime gjenetike, shenja tipike të plakjes së përshpejtuar.

Hapësira është testi përfundimtar i stresit për trupin e njeriut

-tha Dr. Catriona Jamieson, bashkautore e studimit dhe drejtoreshë e Institutit të Qelizave Staminale Sanford në Universitetin e Kalifornisë, San Diego.

Ekipi përdori inteligjencën artificiale për të gjurmuar në kohë reale ndryshimet që pësuan qelizat hematopoietike dhe ato paraardhëse (HSPC), të cilat janë thelbësore për prodhimin e qelizave të gjakut dhe funksionimin e sistemit imunitar.

Pas 32 deri në 45 ditë në hapësirë, qelizat nisën të humbisnin vitalitetin, duke treguar dëmtime të ADN-së dhe telomere më të shkurtra.

Megjithatë, studiuesit theksuan se pas rikthimit në Tokë, në një mjedis më të shëndetshëm, disa nga këto dëmtime u zbutën.

Gjetjet, të publikuara në revistën “Cell Stem Cell”, nënvizojnë nevojën për strategji të reja mbrojtëse për shëndetin e astronautëve gjatë misioneve afatgjata hapësinore.