Health & Beauty Music

Studim/Muzika lehtëson operacionin dhe përshpejton…

Një studim i ri nga Maulana Azad Medical College dhe Lok Nayak Hospital në Delhi zbulon se muzika mund të përshpejtojë rikuperimin e pacientëve gjatë operacioneve. Pacientët që dëgjojnë muzikë gjatë operacionit kërkojnë doza më të ulëta ilaçesh si propofol dhe fentanyl, kanë nivele më të ulëta të hormoneve të stresit si dhe rikuperohen më shpejt dhe më qetë pas ndërhyrjes.

Edhe nën anestezi, truri mbetet pjesërisht aktiv në rrugët dëgjimore. Kjo do të thotë se pacientët mund të përfitojnë nga efektet qetësuese të muzikës, edhe nëse nuk e kujtojnë më vonë. “Pacientët zgjedhin  dy instrumente muzikore, flaut ose piano. Edhe pse janë të pavetëdijshëm, muzika ndihmon trurin të qetësohet”, shpjegon Dr. Farah Husain, specialist i anestezisë.

Studimi përfshiu 56 pacientë të moshës 20–45 vjeç, të cilët iu nënshtruan një operacion për heqjen e fshikëzës së tëmthit. Të gjithë mbajtën kufje anti-zhurmë, por vetëm gjysma dëgjuan muzikë gjatë operacionit. Ekspertët thonë se muzika mund të humanizojë ambientin e sallës së operacionit dhe të zvogëlojë nevojën për ilaçe, duke përmirësuar përvojën e pacientit. “Edhe kur trupi është i qetë dhe mendja në gjumë, disa nota të buta mund të ndihmojnë procesin e shërimit të fillojë”, përfundon Dr. Husain.

Një studim i ri gjithashtu zbulon se të moshuarit që dëgjojnë muzikë çdo ditë reduktojnë rrezikun për demencë me 39%. Muzika aktivizon zona të ndryshme të trurit, përfshirë ato të kujtesës, emocioneve dhe imagjinatës, duke ndihmuar për të ruajtur funksionin konjitiv dhe për t’u lidhur me kujtimet më të bukura. “Edhe nëse njerëzit nuk e njohin veten në pasqyrë, një këngë nga rinia mund t’i rikthejë te vetja që kishin humbur”, thotë Daniel Levitin, neuroscientist dhe muzikant.

Një studim i ri tregon se personat që nuk kanë mjaftueshëm kohë për t’u kujdesur për veten janë në rrezik më të madh për rënie njohëse. Sipas kërkimeve të Qendrës për Plakje të Shëndetshme të Trurit (CHeBA) në Universitetin “New South Wales” në Sidnej, mungesa e kohës mund të ndikojë në zhvillimin e demencës pothuajse njësoj si ushqimi apo aktiviteti fizik.