Të paktën 11 persona kanë humbur jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, për shkak të stuhisë së rrezikshme që ka përfshirë vendin, ndërsa qindra mijëra familje kanë mbetur pa energji elektrike. Shkollat dhe rrugët në të gjithë vendin janë mbyllur e fluturimet u anuluan për shkak të kushteve të motit “kërcënuese për jetën” sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS).
Dy vetë gjetën vdekjen nga hipotermia në Luiziana, ndërsa viktima të lidhura me stuhinë janë raportuar në Teksas, Tenesi dhe Kansas. Më shumë se 800 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike e mbi 11 mijë fluturime u anuluan. Dëbora e dendur, shiu dhe breshëri, mund të zgjasin për ditë të tëra dhe stuhia të prekë rreth 180 milion amerikanë, më shumë se gjysmën e popullsisë.
Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut Kathy Hochul paralajmëroi banorët të qëndrojnë brenda dhe jashtë rrugëve.
Ky është moti më i ftohtë, stuhia më e ftohtë e dimrit që kemi parë në vite. Një lloj rrethimi arktik ka pushtuar shtetin tonë dhe shumë shtete të tjera në të gjithë vendin.
Ekspertët e motit kanë paralajmëruar se një nga rreziqet më të mëdha të stuhisë është akulli, që ka potencialin të dëmtojë pemët, të ulë linjat e energjisë elektrike e t’i bëjë rrugët të pasigurta. Në Virxhinia dhe Kentaki, autoritetet i janë përgjigjur qindra aksidenteve në rrugë.
Emergjencat e shpallura
Gati gjysma e shteteve kanë shpallur emergjenca dhe shkollat në të gjithë vendin tashmë po anulojnë mësimin. Senati Amerikan anuloi një votim të planifikuar për sot në mbrëmje.
Duke shpallur një emergjencë në kryeqytetin e vendit, kryebashkiakja e Uashingtonit Muriel Bowser tha:
Ne po përjetojmë stuhinë më të madhe të borës në një dekadë.
Ndërsa vendet në veri si Dakota e Minesota janë mësuar me temperatura nën zero në dimër, është e pazakontë të shohësh një të ftohtë kaq ekstrem në shtete si Teksasi, Luiziana dhe Tenesi, ku temperaturat janë rreth 15-20 gradë Celsius nën mesataren sezonale.
Vorbulla polare, një unazë e erërave të forta perëndimore që formohen mbi Arktik çdo dimër, që përmban një pellg ajri shumë të ftohtë, çoi në stuhinë e fuqishme, sipas ekspertëve të motit.