Rusia nuk ndal goditjet në Ukrainë as për ditë feste. Forcat ruse kryen një sulm masiv ndaj shtetit ukrainas në orët e para të mëngjesit, duke shënjestruar objekte energjitike dhe të tjera pjesë të infrastrukturës civile, siç njoftuan burime zyrtare.
Të paktën tre persona u plagosën në rajonin verilindor të Harkivit, që u sulmua me raketa balistike ruse, thanë autoritetet.
Po ashtu, guvernatori rajonal, Oleh Syniehubov ka raportuar “për dëme në infrastrukturën civile jo të banueshme” në Harkiv.
Qyteti i Harkivit u përball me një sulm masiv raketor, bëri të ditur kryebashkiaku Ihor Terekhov në platformën Telegram.
Një seri shpërthimesh janë dëgjuar në qytet dhe ende ka raketa balistike që po lëshohen drejt qytetit, shkroi Terekhov.
Ministri ukrainas i Energjisë, Herman Halushchenko, u shpreh se “edhe njëherë, Rusia po sulmon në mënyrë masive sektorin e energjisë”, por nuk specifikoi se cilat qytete janë nën sulm.
Operatori i Sistemit të Transmetimit po ndërmerr masat e nevojshme për të kufizuar konsumimin, në mënyrë që të minimizohen pasojat negative në sistemin energjetik, shkroi Halushchenko në Telegram.
Guvernatori i Dnipropetrovsk-it, Serhiy Lysak, raportoi se që nga mëngjesi, ky rajon është përballur me një sulm masiv, teksa forcat ruse po “tentojnë të shkatërrojnë sistemin e energjisë të rajonit”. Alarmet për sulme ajrore janë dëgjuar në mbarë Ukrainën mëngjesin e sotëm dhe forcat ajrore të shtetit ukrainas kanë raportuar se raketat lundruese ruse të llojit Kalibr janë lëshuar nga Deti i Zi.
Që nga nisja e luftës, në muajin shkurt të vitit 2022, vazhdimisht, Rusia ka sulmuar sektorin e energjisë të Ukrainës, duke e dëmtuar rëndë rrjetin elektrik, si dhe duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Një sulm i ngjashëm ndodhi më 13 dhjetor, kur u përdorën më shumë se 90 raketa e 200 dronë.