Sot herët, ushtria e Izraelit tha se mbrojtja ajrore po punon për të parandaluar raketat e lëshuara nga Irani, teksa lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, e nisur më 28 shkurt, po vazhdon në muajin e dytë.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë në një deklaratë se kanë “vërejtur raketa të lëshuara nga Irani drejt territorit të Shtetit të Izraelit”.
Sistemet mbrojtëse janë duke punuar për ta parandaluar kërcënimin.
Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima apo dëme.
Kuvajti gjithashtu raportoi se mbrojtja e tij ajrore po reagonte ndaj sulmeve me raketa dhe dronë, duke theksuar se çdo shpërthim i dëgjuar vinte nga shkatërrimi i predhave, pasi Irani po vazhdon t’i godasë aleatët arabë të SHBA-ve në Gjirin Persik.
Ndryshime në krye të ushtrisë amerikane
Sulmet vijnë në një kohë kur një zëdhënës i Pentagonit tha se gjenerali Randy George, shefi i Shtabit të Ushtrisë së SHBA-ve do të dalë në pension nga posti i tij si oficeri më i lartë i shërbimit.
Gjenerali Randy A. George do të dalë në pension si shefi i 41-të i Shtabit të Ushtrisë, me efekt të menjëhershëm. Departamenti i Luftës është mirënjohës për shërbimin e gjeneralit George ndaj kombit tonë për dekada. I urojmë më të mirat, shkroi zëdhënësi në X.
Nuk dihet nëse ky vendim lidhet me luftën në Iran, në një kohë kur kritikët e Trump-it janë ankuar se konflikti po del jashtë kontrollit dhe po krijon krizë energjetike e vështirësi ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.
Mediat amerikane, duke cituar zyrtarë anonimë, thanë se shefi i mbrojtjes Pete Hegseth e detyroi George-in të largohej, një veprim pothuajse i paparë gjatë kohës së luftës, sepse ai dëshironte dikë që do të zbatonte vizionin e tij dhe të Trump-it për ushtrinë amerikane.