Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ushtria amerikane “ende nuk ka filluar” të shkatërrojë atë që ka mbetur prej Iranit pas një muaji bombardimesh së pareshtura shkatërruese, si dhe ka kërcënuar se do t’i godasë centralet elektrike dhe ura të tjera në paralajmërimin e tij më të fundit ndaj regjimit në Teheran.
Ushtria jonë, më e madhja dhe më e fuqishmja kudo në botë, ende nuk ka filluar ta shkatërrojë atë që ka mbetur në Iran. Tani është radha e urave, pastaj centraleve elektrike! Udhëheqja e re e regjimit e di se çfarë i duhet të bëjë dhe duhet ta bëjë, SHPEJT! shkroi Trump në Truth Social.
Trump i bëri këto paralajmërime, pa shpjegime të mëtejshme, teksa Irani nisi sulme të reja me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe shteteve të Gjirit Persik. Kjo pas një paralajmërimi të mëparshëm nga Trump-i drejtuar Teheranit se duhet “të bëjë një marrëveshje para se të mos mbetet asgjë nga vendi”.
Trump vazhdoi të dërgojë mesazhe disi të përziera mbi luftën, pasi një ditë më parë tha në një fjalim televiziv se Shtetet e Bashkuara janë afër “përfundimit të punës” në Iran, por njëkohësisht paralajmëroi se ushtria amerikane do të vazhdojë të godasë vendin e Lindjes së Mesme “jashtëzakonisht fuqishëm” edhe për “dy deri në tre javë” të tjera.
Sulmi mbi urën iraniane
Në një tjetër postim në Truth Social, Trump e përshëndeti sulmin amerikan mbi një urë të madhe që lidh Teheranin me Karajn në provincën Alborz, e përshkruar nga mediat iraniane si ura më e lartë në Lindjen e Mesme.
Ura më e madhe në Iran u shemb dhe nuk do të përdoret më kurrë, shkroi shefi i Shtëpisë së Bardhë, Trump.
Zyrtarët iranianë thanë se tetë njerëz u vranë dhe 95 u plagosën në dy raunde sulmesh mbi urën. Ky numër nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Po ashtu, Irani raportoi se Instituti Pasteur, një qendër kërkimore mjekësore, pësoi dëme të mëdha nga një sulm. As ky lajm nuk mund të verifikohej, edhe pse qeveria iraniane publikoi një foto ku pretendohet se tregohen dëmet e pësuara prej goditjes.