Bota

Sulmet Izrael-Iran, BBC: Cilët janë skenarët më të këqij?

BBC

Të paktën deri tani, lufta Izrael-Iran duket e kufizuar te të dy vendet. Në OKB e më gjerë ka thirrje për përmbajtje, por sikur këto thirrje të bien në vesh të shurdhër? Po sikur luftimet të përshkallëzohen e të zgjerohen? Korrespondenti diplomatik i BBC-së, James Landale parashikon disa skenarë të mundshëm, në rastin më të keq.

Amerika përfshihet në konflikt

Megjithë mohimet, Irani nuk ka dyshime se forcat amerikane i kanë mbështetur sulmet e Izraelit, të paktën në heshtje. Teherani mund të godasë objektiva të Uashingtonit në Lindjen e Mesme, si kampet e forcave speciale në Irak, bazat ushtarake në Gjirin Persik dhe misionet diplomatike në rajon. “Satelitët” e Iranit, Hamasi dhe Hezbollahu mund të jenë tkurrur, por milicitë e tij mbështetëse në Irak mbeten të armatosur e të paprekur.

Amerika i druhej mundësisë së sulmeve të tilla ndaj tërhoqi një pjesë të personelit. SHBA-të e kanë paralajmëruar Iranin me vendosmëri për pasojat e çdo sulmi ndaj objektivave amerikane. Çfarë mund të ndodhë nëse një qytetar amerikan do të vritej në Tel Aviv ose gjetkë?

Donald Trump mund ta gjejë veten të detyruar të veprojë. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu akuzohet se synon të tërheqë SHBA-të që ta ndihmojnë të mposhtë Iranin. Analistët ushtarakë vlerësojnë se vetëm Amerika ka bombardues dhe bomba që shkatërrojnë bunkerë që mund të depërtojnë në thellësitë e objekteve bërthamore iraniane, veçanërisht në Fordow.

Trump i pati premtuar elektoratit se nuk do të fillonte asnjë të ashtuquajtur “luftë të përjetshme” në Lindjen e Mesme. Por, shumë republikanë mbështesin si qeverinë e Izraelit ashtu edhe pikëpamjen e saj se “tani është koha për të kërkuar ndryshimin e regjimit në Teheran”. Nëse Amerika bëhet luftëtare aktive, kjo do të përfaqësonte një përshkallëzim të madh me pasoja potencialisht shkatërruese.

Edhe vendet e Gjirit përfshihen në konflikt

Nëse Irani nuk arrin të dëmtojë ushtrinë e të tjera objektiva të mbrojtura mirë të Izraelit, atëherë mund t’i drejtojë raketat në shënjestra më pak të mbrojtura në Gjirin Persik, veçanërisht në vendet që Teherani beson se i kanë ndihmuar dhe mbështetur armiqtë e tij gjatë viteve. Ka shumë objektiva energjie dhe infrastrukture në rajon.

Irani u akuzua për sulmin ndaj fushave të naftës të Arabisë Saudite në vitin 2019 dhe rebelët Houthi që mbështeten nga Republika Islamike goditën në Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2022. Që atëherë ka pasur një lloj pajtimi mes Iranit e disa vendeve në rajon. Por, ato strehojnë baza ajrore amerikane. Disa ndihmuan edhe në mbrojtjen e Izraelit nga sulmi raketor iranian vitin e kaluar. Nëse Gjiri sulmohet, mund të kërkojë që avionët luftarakë amerikanë të shkojnë në mbrojtje të tij, si dhe të Izraelit.

Izraeli dështon të shkatërrojë aftësinë bërthamore të Iranit

Po sikur sulmi izraelit të dështojë? Po sikur objektet bërthamore të Iranit të jenë shumë të thella, shumë të mbrojtura mirë? Po sikur të mos shkatërrohen 400 kilogramë uranium i pasuruar?  Izraeli mund të ketë vrarë disa shkencëtarë bërthamorë, por asnjë bombë nuk mund të shkatërrojë njohuritë dhe ekspertizën e Iranit.

Po sikur sulmi i Izraelit të bindë udhëheqjen e Iranit se e vetmja mënyrë për të penguar sulme të mëtejshme është të garojë për kapacitet bërthamor sa më shpejt që të jetë e mundur?

Po sikur ata udhëheqës të rinj ushtarakë rreth tryezës të jenë më kokëfortë dhe më pak të kujdesshëm se paraardhësit e tyre të vdekur?

Kjo mund ta detyrojë Izraelin të ndërmarrë sulme të mëtejshme, duke e futur potencialisht rajonin në një raund të vazhdueshëm sulmesh e kundërsulmesh. Izraelitët kanë një frazë brutale për këtë strategji, ata e quajnë “Kositja e barit”.

Ka një tronditje ekonomike globale dhe çmimi i naftës tashmë është rritur ndjeshëm. Po sikur Irani të përpiqet të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, duke kufizuar më tej lëvizjen e naftës?

Po sikur në anën tjetër të Gadishullit Arabik, Houthët në Jemen të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të sulmuar anijet në Detin e Kuq? Ata janë i ashtuquajturi aleat i fundit i mbetur i Iranit me një histori të paparashikueshmërisë dhe oreksit të lartë për rrezik.

Shumë vende anembanë botës tashmë po vuajnë nga një krizë e kostos së jetesës. Një çmim në rritje i naftës do të shtonte inflacionin në një sistem ekonomik global që tashmë po shkatërrohet nën peshën e luftës së tarifave të Trump-it.

Dhe të mos harrojmë, i vetmi njeri që përfiton nga rritja e çmimeve të naftës është presidenti rus Putin, i cili papritmas do të shihte miliarda dollarë të tjerë të derdheshin në arkën e Kremlinit për të paguar luftën e tij kundër Ukrainës.

Regjimi i Iranit bie duke lënë një boshllëk

Po sikur Izraeli të arrinte qëllimin e tij afatgjatë për të detyruar rrëzimin e regjimit revolucionar islamik në Iran? Kryeministri Netanyahu pretendon se qëllimi i tij kryesor është të shkatërrojë aftësinë bërthamore të Iranit. Por, ai e bëri të qartë se shkon më tej e synon ndryshimin e regjimit iranian.

“Popullit krenar të Iranit” i tha se sulmi i tij po “i hapte rrugën për të arritur lirinë” nga ai që e quajti “regjim i lig e shtypës”.

Rënia e qeverisë së Iranit mund t’u pëlqejë disave në rajon, veçanërisht disa izraelitëve. Por, çfarë boshllëku mund të krijojë? Çfarë pasojash të paparashikuara do të kishte? Si do të dukej konflikti civil në Iran? Shumë vetë mund të kujtojnë se çfarë ndodhi si me Irakun ashtu edhe me Libinë kur u hoq një qeveri e fortë e centralizuar.

Pra, shumë varet nga mënyra si do të përparojë ky konflikt në ditët në vijim, sa fort do të hakmerret Irani e çfarë përmbajtjeje, nëse ka mund të ushtrojë Amerika ndaj Izraelit? Nga përgjigja e këtyre dy pyetjeve varet shumë ky konflikt.