Një tjetër natë lufte mes Izraelit e Iranit, me Teheranin që lëshoi raketa drejt territorit izraelit. Sirenat e alarmit u aktivizuan në Tel Aviv e një raketë ra gjithashtu në Jerusalem. Miliona persona i janë drejtuar vendstrehimeve të sigurta. Bilanci provizor është të paktën tetë të vdekur e mbi 200 të plagosur në shtetin hebraik. Për Izraelin, as udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, nuk është i përjashtuar.
Gjatë natës, disa raketahedhës u identifikuan dhe u goditën në Iran. Ndërkaq, Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë përfunduar një seri sulmesh shtesë kundër vendeve të magazinimit e objekteve të lëshimit të raketave në Iranin perëndimor, siç njoftuan Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.
Rebelët Huthi të Jemenit, të mbështetur nga Teherani, thanë se kanë lëshuar “disa raketa balistike hipersonike Palestine 2” drejt Izraelit, në sulme “të koordinuara me operacionet e kryera nga ushtria iraniane”. Përmes një deklarate, bënë të ditur:
Ishte një operacion ushtarak kundër objektivave të ndjeshëm të armikut izraelit në Izraelin qendror, njoftoi grupi, i cili kontrollon pjesë të mëdha territori në Jemen, përfshirë kryeqytetin Sanaa.
Sipas portalit amerikan Axios, në 48 orët e fundit, Izraeli i ka kërkuar administratës Trump të bashkohet me luftën kundër Iranit për të eliminuar programin e tij bërthamor. Ajatollahët kërcënojnë Perëndimin:
2 mijë raketa janë gati.
Gjithashtu në shënjestër të Teheranit po vendosen bazat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës e Britanisë së Madhe në Lindjen e Mesme, në rast të mbështetjes së vazhdueshme për Izraelin.
Nëse do të sulmoheshim në ndonjë mënyrë nga Irani, forca dhe fuqia e plotë e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara do të jetë në një nivel të paparë deri tani.
Kështu shkroi presidenti amerikan, Donald Trump në Social Truth. Po ashtu, theksoi:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë fare të bëjnë me sulmin ndaj Iranit.
“Administrata Trump nuk po e shqyrton bashkimin me Izraelin kundër Iranit, siç raporton Axios, duke cituar burime amerikane, të cilat konfirmojnë kërkesën e Izraelit drejtuar administratës për t’u bashkuar në konflikt. Por, informacionet janë kontradiktore pasi një burim izraelit i tha portalit Axios se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e shqyrtojnë kërkesën në fjalë.