Bota

Sulmi masiv në Kiev, Von der Leyen: Putin duhet të ulet në tryezën e negociatave!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përmes një postimi në platformën X  ka bërë të ditur se ka zhvilluar bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas sulmit të fundit masiv në Kiev, i cili ka prekur edhe zyrat e Delegacionit të BE-së në kryeqytetin ukrainas.

“Sapo fola me Presidentin Volodymyr Zelensky, pastaj me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, pas sulmit masiv ndaj Kievit që goditi edhe zyrat tona në BE. Putini duhet të ulet në tryezën e negociatave. Ne duhet të sigurojmë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën me garanci të forta dhe të besueshme sigurie që do ta transformojnë vendin në një forcë mbrojtëse të paprekshme. Evropa do të luajë rolin e saj të plotë”, shkroi Ursula von der Leyen ndërsa veçoi edhe rëndësinë e instrumentit mbrojtës europian SAFE, i cili do të shërbejë për forcimin e ushtrisë ukrainase.

Në mes të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje paqeje, Rusia ka intensifikuar sulmet në Ukrainë. Gjatë natës, Moska shënjestroi me 629 dronë dhe raketa në Kiev, duke rikthyer sulmet që i kishte ndalur në kryeqytetin ukrainas pak ditë para samitit të Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë.

18 persona raportohet se janë vrarë, mes të cilëve 4 fëmijë, ndërsa 45 të tjerë janë plagosur. Ndërtesa banimi u dëmtuan ndërsa sulmet prekën 20 zona të kryeqytetit. Një ndërtesë u shemb në rrethin Darnytski dhe një zjarr shpërtheu në një godinë banimi në rrethin fqinj Dnipro. Edhe një kopsht fëmijësh u përfshi nga flakët. E dëmtuar nga sulmet ruse mbeti edhe zyra e delegacionit të BE.

Rreth orës 23:00 të mbrëmjes, dronë të shumtë Shahed-Geranë të telekomanduar kaluan kufirin dhe më pas u grupuan në dy grupe, duke u drejtuar drejt Kievit nga veriu dhe jugu. Pas mesnatës, u nis vala e dytë.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se sulmet i treguan botës përgjigjen diplomatike të Rusisë mes përpjekjeve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës.

“Rusia zgjedh balistikën mbi tryezën e negociatave”, tha Zelensky në X, duke bërë thirrje për sanksione të reja kundër Rusisë.

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos, teksa publikoi dëmet e shkaktuara në në godiën e delegacionit, tha se sulmet janë një shenjë e qartë që Rusia refuzon paqen.