Rajoni

Sulmi në veri, Albin Kurti: Akt terrorist, u orkestrua nga Serbia!

Shpërthimi në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Nuk pati viktima e të plagosur sipas autoriteteve. Kryeministri Albin Kurti akuzoi Serbinë, për “sulm kriminel dhe terrorist”, që sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, para mesnatës, Kurti tha se përmes sulmit është munduar të rrezikohet furnizimi i Kosovës me ujë dhe me energji elektrike. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që “të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi njoftimet” zyrtare nga organet e vendit, të cilat ka thënë se “janë të angazhuara në menaxhimin e situatës dhe rikuperimin e dëmit”.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka deklaruar se shpërthimi në Zubin Potok është sulm terrorist, që autoritetet e Kosovës besojnë se “vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia, e cila ka interesim dhe aftësi për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla”.

Si pasojë e dëmtimit të kanalit të Ibër-Lepencit, Kurti paralajmëroi se shumë pjesë të Kosovës mund të mbeten pa energji elektrike ndërsa disa qytete dhe një pjesë e qytetit të kryeqytetit, Prishtinë mund të mos kenë ujë të pijshëm.

Nuk mund të ketë adresë tjetër për fajësi për organizimin dhe orkestrimin e sulmit, përveç Beogradit zyrtar dhe strukturave kriminale me në krye Millan Radoiçiqin, të cilat, mbështeten nga institucionet serbe dhe nga presidenti Aleksandar Vuçiq. Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, është i lirë në Serbi dhe dirigjon me elementet paramilitare atje, të cilat, urrejnë Kosovën dhe popullin e saj.

Incidenti në Zubin Potok është shpërthimi i tretë në tre ditët e fundit, përmes të cilit është synuar të nxitet frika dhe pasiguria në tre komunat në veri, për ta përshkallëzuar situatën në mbarë vendin. Përpjekjet e këtilla do të ngelen të dëshpëruara. Kushtetutshmëria, sundimi ligjit, rendi dhe populli, republika jonë, nuk do të mund të mposhten asnjëherë nga askush.

Kurti ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, për “mbështetjen e tyre ndaj vendit”.

Pas konferencës do ta takojë komandantin e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR dhe se do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.