Barcelona po bëhet gati ta mbyllë këtë sezon me një titull kampion. Por në sezonin e ardhshëm, planet e trajnerit Hansi Flik mund të jenë të ndryshme për skuadrën, pasi një prej yjeve të saj, braziliani Rafinja, po mendon seriozisht largimin nga radhët e këtij klubi.
Sipas gazetës katalanase “Sport”, lojtari është aktualisht në një fazë “vetë-reflektimi”, pasi ka “dyshime të mëdha për të ardhmen”. Bëhet e ditur se këto dyshime ia ka shprehur klubit dhe tashmë askush nuk është i sigurt se ai do të qëndrojë edhe në edicionin e ardhshëm, kur katalanasit do të hidhen me shumë forca në sulm për të fituar Ligën e Kampioneve.
Bëhet e qartë se në mes ka edhe çështje të karakterit personal, jo vetëm të formës sportive, ndonëse ajo ka qenë me luhatje në këtë edicion për shkak të dëmtimeve të vazhdueshme të tij. Klubi po mundohet që ta bindte të qëndrojë lojtarin i cili në edicionin aktual ka regjistruar 31 ndeshje me 19 gola e 8 asiste.
LEXO EDHE: Liverpool kërkon me ngulm mbrojtësin e Barcelonës, diskutimet nisin nga 80 milionë euro
Ai është nën kontratë me Barçën deri në verën e vitit 2028, por për ta tunduar për të kërkuar largimin, janë bërë shkas disa oferta shumë të rëndësishme ekonomike të cilat i kanë ardhur kryesisht nga Arabia Saudite. Ofertat kanë qenë marramendëse dhe kjo ndoshta po shtyn Rafinjan që të marrë në konsideratë idenë e lamtumirës gjatë verës.