Shqipëria do të përballet me Andorrën të enjten, në kuadër të Kualifikueseve të Botërorit. Për këtë takim i cili është shumë i rëndësishëm për arritjen në Play Off, trajneri i kuqezinjve, Sylvinho, doli në konferencë për shtyp.
“Janë dy ndeshje të ndryshme. Trajneri i Andorrës është aty prej kohësh, e njeh ekipin, kanë një prapavijë që është e vështirë ndaj tyre. E kemi parë edhe ndeshjen e fundit që patën ndaj Serbisë, barazuan në pjesën e parë. Kjo tregon që është një ekip i vështirë për t’u mundur. Po rritemi shumë edhe ne si federatë. Diferencat janë të vogla në futboll tani, ky është pasioni që të sjell futbolli. Të luash jashtë është më e vështirë se të luash në shtëpi. Ne kemi rezultate më të mira në shtëpi. Play Off është një hap i vështirë. Shpresoj që nesër tkemi ndeshje të mirë”- tha Sylvinho.
Para sfidës Kualifikuese të Botërorit ndaj Andorrës, përkrah trajnerit Sylvinho, në konferencë u shfaq edhe kapiteni Berat Gjimshiti. Mbrojtësi kuqezi u shpreh besimplotë për një sukses të skuadrës, në këtë takim.
“Kemi ardhur këtu për një qëllim, që të marrim 3 pikët. Na nevojiten për objektivin. E kemi parë kundërshtarin, në ndeshjet ku Serbinë dhe Anglinë i kanë vendosur në vështirësi. Ne do të bëjmë futbollin tonë. Do futemi në fushë për 3 pikët. Do e respektojmë kundërshtarin, por duhet të jemi të fortë për të përballuar gjithçka. Jam shumë i lumtur dhe krenar për 300 ndeshjet me fanellën e Atalantës. Fitorja është gjithmonë e rëndësishme. Tani ndeshja më e rëndësishme është ndaj Andorrës. Ato momentet kur të jemi mirë, duhet të japim maksimumin për 3 pikët. Kur dëgjova që do të ishte plot me tifozët tanë, të jep një shtyrje më shumë. Besoj që mesazhi është falënderues. Ajo që mund të bëjmë është të japim maksimumin në fushë. T’i bëjmë të lumtur pas ndeshjes, kjo është e rëndësishme dhe mendoj se do e arrijmë- tha ai.