Sot në konferencën për shtyp, ku u zyrtarizua emrin i italianit Rolando Maran si pasues i Sylvinho-s në krye të Kombëtares, Armand Duka tregoi objektivat e skuadrës kuqezi në të ardhmen. Numri një i Federatës Shqiptare të Futbollit falënderoi brazilianin:
Dua të falenderoj Sylvinho-n dhe të lajmëroj nisjen e një cikli të ri. Komisari i ri i Shqipërisë do të jetë Rolando Maran, një trajner me eksperiencë si në Serie B dhe Serie A.
Sa i përket objektivave, Rolando Maran duhet që të fitojë Nations League e të kualifikojë Shqipërinë në Euro 2028.
Në konferencë foli edhe Sylvinho, i cili shkurtimisht përmblodhi eksperiencën e tij në krye të Shqipërisë për 3 vjet e gjysmë dhe i uroi fat trajnerit të ri.
Më kanë pritur shumë mirë këtu e ju falënderoj shumë! E njoh mirë Shqipërinë tashmë. E falënderoj presidentin Duka për besimin dhe punën që kemi bërë! Falënderoj gjithë stafin për punën, të gjithë futbollistët! Bashkë kemi bërë një rrugëtim prej 3 vitesh e gjysmë, jemi rritur bashkë dhe kemi arritur ato rezultate.
Falënderoj dhe tifozët e Kombëtares, kanë qenë një shenjë pozitive për ne, për të punuar çdo ditë. Nuk ka shumë për të thënë. Që në ditën e parë që kam qenë këtu, kam thënë: zemra dhe djersa nuk mund të mungojnë kurrë. Tani dua t’i uroj shumë fat trajnerit të ri Maran dhe sa më shumë suksese!