Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Po afrohet dita kur njerëzit do ecin në rrugë duke folur me syzet… dhe askush nuk do e kuptojë më nëse je duke bërë telefonatë, duke dëgjuar muzikë… apo thjesht ke humbur komplet kontaktin me realitetin.
Sepse Google sapo prezantoi syzet e reja me inteligjencë artificiale dhe sinqerisht… duket fiks sikur jemi në Cyberpunk.
Syzet kanë ekran brenda lentes, përkthim live, navigim me Google Maps, kamera, muzikë dhe Gemini AI që të dëgjon sa herë mban shtypur butonin tek bishti syzeve. Pra teknikisht, tani edhe syzet kanë më shumë vëmendje ndaj teje sesa disa njerëz në marrëdhënie.
Pjesa më e fortë? Përkthimi në kohë reale. Një person fliste frengjisht dhe syzet e përkthenin direkt në anglisht para syve.
Pra teknologjia po eliminon dhe barrierat gjuhësore.
Ka edhe navigim me syze. Tani nuk do shohësh më njerëz me telefonin para fytyrës si zombie te “Walking Dead”. Do shohësh njerëz që ecin duke parë boshllëkun me syze futuriste dhe duke kthyer kokën majtas-djathtas si pula që kërkojnë Wi-Fi.
Madje syzet mund të identifikojnë objekte dhe të përgjigjen për to. Pra po afrohemi shumë pranë momentit kur dikush do shohë një byrek dhe do pyesë AI-n:
“A ka proteina?”
Dhe AI do përgjigjet:
“Vëlla, ha byrekun dhe mos e kompliko jetën.”
Problemi i vetëm? Ende nuk janë perfekte. Zëri nuk ishte super i pastër, ekrani pak i turbullt dhe bateria mbetet pikëpyetje. Me pak fjalë: janë në atë fazën “wow”… por edhe “prit se po nxehet pak.”
Gjithsesi, konkurrenca me Meta dhe Apple po bëhet aq agresive sa duket sikur kompanitë teknologjike janë futur në garë për të na kthyer të gjithëve në personazhe të Cyberpunk… por me abonim mujor.