Regjisori i njohur hollivudian Taika Waititi ka festuar 50-vjetorin e lindjes me një festë madhështore në Ibiza, ku morën pjesë miq të ngushtë, familjarë dhe personalitete të njohura të botës së artit dhe muzikës.
Në një postim në Instagram, fituesi i Oscar-it publikoi fotografi nga dita e veçantë dhe falënderoi të gjithë të pranishmit, duke veçuar bashkëshorten e tij, këngëtaren shqiptare Rita Ora. Sipas Waititit, ajo ishte “regjisorja e vërtetë” e surprizës.
Festa u zhvillua në një vilë luksoze dhe përfshiu performanca live, muzikë nga DJ të njohur dhe një surprizë të veçantë nga kushërinjtë e tij, të cilët i bënë një haka tradicionale në nder të regjisorit.
Në postimin e tij, Waititi komentoi me humor edhe dhimbjen e gjurit, duke theksuar se ndihej i lumtur, i dashur dhe i rrethuar nga njerëzit e tij të preferuar.
Çifti Waititi-Ora, i martuar që nga viti 2022, është një nga më të komentuarit në skenën ndërkombëtare, dhe shpesh ndajnë me fansat momente plot dashuri dhe humor. Regjisori paralajmëroi gjithashtu se festimet nuk do të ndalojnë këtu, duke shtuar se do të vazhdojë të festojë deri në fund të vitit.