Tajlanda po dërgon thuajse 1,000 breshka dhe lemura të rrezikuar në mënyrë drastike, duke i kthyer ato në shtëpinë e tyre në Madagaskar, në një fitore historike kundër trafikut të kafshëve. Tajlanda është importuesi më i madh i kafshëve nga Madagaskari në Azinë Juglindore, një rajon që luan një rol të rëndësishëm në tregtinë dhe rieksportimin e disa prej specieve më të kërcënuara të Madagaskarit.
Policia tajlandeze ka rikuperuar 1,117 kafshë, tetë prej të cilave kishin ngordhur gjatë një operacioni kundër trafikut të kafshëve në provincën jugore të Chumphon në maj. Këto specie janë shumë të kërkuara në Azi si kafshë ekzotike shtëpiake, megjithatë riprodhimi i mjedisit të tyre natyror është jashtëzakonisht i vështirë, duke e vënë shpesh jetën e tyre në rrezik.
Disa nga kafshët e sekuestruara në maj kanë ngordhur që prej atëherë për shkak të shëndetit të dobët, të shkaktuar nga mungesa e ushqimit dhe ujit kur u kontrabanduan në Tajlandë. Disa gjithashtu dështuan të përshtaten me mjedisin e ri. Autoritetet tajlandeze organizuan një ceremoni zyrtare në kryeqytetin Bangkok për t’iu dorëzuar kafshët zyrtarëve madagaskarianë. Tregjet e paligjshme të drurit dhe kafshëve të egra janë identifikuar si kërcënimi i dytë më i madh për biodiversitetin e pasur të Madagaskarit.