Rajoni

Takim Osmani-Trump, presidentja: Aleanca me SHBA-të, bosht i pathyeshëm!

Në Nju Jork ku merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takoi homologun amerikan, Donald Trump, me të cilin, siç tha, zhvilloi një “bisedë të gjatë dhe shumë përmbajtësore”.

Miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet boshti i pathyeshëm. Kosova do të jetë gjithmonë në anën e demokracisë, lirisë dhe partneritetit me SHBA-në, sepse pikërisht aty rreh zemra e lirisë sonë, deklaroi Osmani, referuar njoftimit të Presidencës.

Osmani e falënderoi presidentin Trump:

Për interesimin e veçantë që tregoi rreth rolit të pazëvendësueshëm të Amerikës në Kosovë dhe në rajonin tonë, si dhe për angazhimin e tij të palodhshëm për paqe.

Më 23 shtator, në pritjen e organizuar nga presidenti amerikan, Vjosa Osmani u takua edhe me sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.

Sipas Presidencës së Kosovës, takimi me Trump-in dhe Zonjën e Parë, Melanie Trump, ishte planifikuar si protokollar, por u shndërrua në një bisedë të gjatë e përmbajtësore.

Në Shtetet e Bashkuara po qëndrojnë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e ministrja në detyrë për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Donika Gërvalla. Qëndrimi i zyrtarëve të Kosovës në Nju Jork vjen në kohën kur marrëdhëniet mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara pësuan një goditje në fillim të këtij muaji.

Më 12 shtator, Uashingtoni njoftoi pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik për shkak të veprimeve të qeverisë në detyrë të Kosovës, që “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend”.

Ambasada amerikane në Prishtinë deklaroi:

Veprimet e qeverisë së drejtuar nga Kurti kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite.

Kurti u shpreh se qeveria në detyrë ka “disa” dallime në qëndrime me SHBA-të, por nënvizoi se raportet mes dy vendeve nuk janë prishur. Ndërkaq, vuri në dukje se dallimet mes tij dhe Shteteve të Bashkuara “shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet e Kosovës në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë”.

Ndërkaq, presidentja Osmani foli me “keqardhje e shqetësim të thellë” lidhur me vendimin amerikan për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik.