Bota

Takimi me delegacionin ukrainas në Florida, Rubio: Duam të krijojmë rrugën për një Ukrainë sovrane

Bisedimet e sotme synojnë “t’i japin fund një lufte dhe të krijojnë një mekanizëm që i mundëson Ukrainës të jetë e pavarur dhe sovrane, të mos hyjë më kurrë në një tjetër konflikt dhe të krijojë një mirëqenie të madhe për popullin e saj”. Kështu deklaroi Marco Rubio në fillim të bisedimeve në Miami. Sekretari i Shtetit është ulur pranë Witkoff dhe Kushner. Në anën tjetër të tryezës janë zyrtarët ukrainas, të udhëhequr nga Rustem Umerov.

Gjatë bisedimeve në Gjenevë, delegacionet e SHBA-së dhe Ukrainës nuk arritën një marrëveshje për çështjet e territoreve dhe sigurisë. Dhe pikërisht këto dy tema janë sot në tryezë në Miami, sipas asaj që ka bërë të ditur për Axios një zyrtar i lartë amerikan. “Ukrainasit e dinë se çfarë presim prej tyre”, tha ai.

Para dorëheqjes së tij, Andrij Yermak kishte deklaruar se lëshimet territoriale mund të negocioheshin vetëm në nivel presidencial. Por Donald Trump paralajmëroi javën e kaluar se do të takonte Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin vetëm kur palët të kishin arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.