Aktualitet Politikë

Takimi me shqiptarët në Kretë më 29 mars, Rama ironizon opozitën dhe Berishën: I ra 1-shi Kënetës, normal 5 me 1!

Kryeministri Edi Rama i rikthehet të shtunën e 29 marsit turit me diasporën, ku do të takohet me shqiptarët në Kretë. Ndërsa ka ndarë një poster të takimit në Kretë, kreu i qeverisë ironizon Sali Berishën me koalicionin e tij, teksa flet për numrat që u kanë rënë në fletën e votimit të 11 majit.

 ‘5 me 1’ shkruan Rama, ndërsa thotë se 1-shi i ra kënetës dhe 5 Partisë Socialiste. Më 11 maj, kryeministri shkruan se pret fitore të thellë për Shqipërinë 2030 me shqiptarët e Kretës dhe të gjithë botës.

“Njëri: I ra 1-shi Kënetës, kurse juve ju ra 5-sa!

Unë: Normal, 5 me 1

Me shqiptarët e Greqisë dhe të botës me vete, fitorja për Shqipërinë 2030 do të jetë e thellë

29 MARS NË KRETË”, shkruan Rama.

Kryeministri Edi Rama i ka bërë një ftesë të drejtëpërdrejtë ish deputetit demokrat, Dashnor Sula t’i bashkohet skuadrës së Partisë Socialiste.

Duke folur nga një takim me kandidatët e PS-së në qarkun e Elbasanit, ai përmendi edhe deputetin, i cili nuk u përfshi në listat e PD-së për zgjedhjet e 11 majit.

“Se di kur do të thahet ajo kënetë, por PS është një shtëpi e hapur, jo ku duhet të japësh provim a e di apo se di programin, kemi edhe të kuq fare, kemi edhe rozë, kemi edhe pak më bojëqielli, duhet të jemi të hapur edhe për blunë”, u shpreh Rama.

Sipas tij “Duhet të jemi të hapur rëndësi ka që njerëzit duhet të kenë dritë për Shqipërinë, nuk jemi këtu për të mbyllur, veç salamandrave e kukumjaçkave jo, mund të jetë edhe Dash Sula, por duhet të dezinfektohet siç janë ato pulat që futen në karantinë, ai duhet të heqë morrat e kënetës, aty të myt morri, është tmerr”.

Pasi mbeti jashtë listave të Partisë Demokratike, Sula negocioi me koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” për të kandiduar në Elbasan, por drejtuesit e këtij koalicioni nuk i ofruan garanci se pesë kandidatët e listës së mbyllur do të tërhiqeshin nëse ai merrte mandatin e deputetit.