Në Stamboll pati përleshje dhe policia turke përdori plumba gome e gaz lotsjellës për të shpërndarë një turmë të zemëruar, pas pretendimeve se një revistë satirike kishte publikuar një karikaturë të Profetit Muhamed. Një natë më parë, kryeprokurori i Stambollit urdhëroi arrestimin e redaktorëve të revistës LeMan, se publikuan një karikaturë “që ofendoi publikisht vlerat fetare”.
Zyra e kryeprokurorit publik ka nisur një hetim lidhur me publikimin e një karikature në numrin e publikuar më 26 qershor 2025 të revistës LeMan e që publikisht ka fyer vlerat fetare. Fletarrestet u prenë për personat e përfshirë.
Një kopje e imazhit bardhë e zi, e publikuar në rrjetet sociale, shfaq dy personazhe që fluturojnë mbi qiellin e një qyteti nën bombardime.
“Salam aleiku, unë jam Muhamedi”, thotë njëri nga personazhet teksa përshëndet personazhin tjetër i cili përgjigjet, “Aleikum salam, unë jam Musa”.
Por, kryeredaktori i revistës, Tuncay Akgun i tha AFP-së se imazhi ishte keqinterpretuar dhe “nuk është karikatura e profetit Muhamed”.
Për një mysliman të vrarë në bombardimet e Izraelit u përdor emri Muhamed. Më shumë se 200 milion njerëz në botën islame quhen Muhamed. Karikatura nuk ka asnjë lidhje me profetin Muhamed. Ne kurrë nuk do të rrezikonim me një gjë të tillë.
Pasi lajmit për fletarrestet, dhjetëra protestues të zemëruar sulmuan një kafene që shpesh frekuentohet nga punonjës të revistës LeMan në qendër të Stambollit, duke nxitur përplasje me policinë. Në këtë përleshje u përfshin 250 deri në 300 vetë sipas AFP-së.
Përmes disa postimeve në X, ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, tha:
Policia arrestoi karikaturistin përgjegjës për këtë vizatim të neveritshëm, dizajnerin grafik të revistës e dy pjesëtarë të tjerë të stafit. Po ashtu, policia mori nën kontroll zyrat e revistës në rrugën Istiklal dhe u lëshuan fletarreste për të tjerë drejtues të revistës, tha zëdhënësi i Presidencës turke, Fahrettin Altin, përmes një postimi në X.
Po në këtë platformë, revista LeMan mbrojti karikaturën dhe nënvizoi se u keqkuptua qëllimshëm për të shkaktuar provokim.
Karikaturisti dëshironte të portretizonte drejtësi për popullin e shtypur mysliman duke paraqitur një mysliman të vrarë nga Izraeli. Nuk kishte për qëllim të përbuzte vlerat fetare.
Kryeredaktori Akgun u shpreh se fletarrestet ndaj stafit të revistës, që është bastion satirik i opozitës, i themeluar në vitin 1991, ishte “tronditës, por jo shumë befasues”.
Ky është një akt për shkatërrimin tonë. Ministrat janë të përfshirë në gjithë këtë çështje, kjo karikaturë po keqinterpretohet. Të bësh krahasime me Charlie Hebdo-në është dashakeqësi e shqetësim, tha ai, duke iu referuar revistës satirike franceze, zyrat e të cilës u sulmuan më 2015-ën nga islamistë të armatosur.