Tech

Tarifat e Donald Trump rrezikojnë mungesën e pajisjeve elektronike në SHBA!

Pegatron i Tajvanit, një furnizues i rëndësishëm për Apple dhe Dell tha së fundmi se tarifat e presidentit Donald Trump po “hutonin” klientët amerikanë. Madje, sipas tij, ato rrezikonin të çonin edhe në mungesa të pajisjeve elektronike të konsumit në Shtetet e Bashkuara. Siç vlerëson kryetari i prodhuesit të elektronikës T.H. Tung, tarifat e Uashingtonit përsëri dhe përsëri kanë krijuar pasiguri për shitësit me pakicë në SHBA dhe kanë ndërprerë vendimet për dërgesat.

“Brenda dy muajsh, raftet në Shtetet e Bashkuara mund të ngjajnë me ato në vendet e botës së tretë, ku njerëzit vizitojnë dyqanet dhe tregjet vetëm për të gjetur rafte bosh, të gjitha sepse të gjithë presin dhe shohin”-ka paralajmëruar më tej Tung. Këtë muaj, Trump ndërpreu papritmas disa tarifa që synonin partnerët tregtarë, përfshirë Vietnamin, Indonezinë dhe Indinë, ku Pegatron ka baza prodhuese. Megjithatë, një taksë prej 10% për pothuajse të gjitha mallrat e importuara në SHBA mbetet. Pegatron ka diversifikuar vendet e saj të prodhimit larg Kinës që nga mandati i parë i Trump, duke u zgjeruar në vendet në Azinë Juglindore si dhe në Meksikë.

Ndërkaq, Apple planifikon të zhvendosë montimin e të gjithë iPhone-ve të shitur në SHBA në Indi nga viti i ardhshëm, sipas FT, pasi lufta tregtare e shpallur nga Presidenti i SHBA Donald Trump e detyron gjigantin e teknologjisë të largohet nga Kina. Vendimi bazohet në strategjinë e Apple për të diversifikuar zinxhirin e saj të furnizimit, por shkon një hap më tej dhe më shpejt nga sa kishin parashikuar investitorët, me synimin për të siguruar të gjithë 60 milionë iPhone-ët e shitur çdo vit në SHBA nga India deri në fund të vitit 2026. Apple pritet të dyfishojë prodhimin e iPhone në Indi, pas gati dy dekadash investimi të madh në Kinë për të ndërtuar një linjë prodhimi globale që e ka bërë atë një gjigant teknologjik prej 3 trilion dollarësh.