Vera është stina e kujtimeve të bukura, pushimeve dhe energjisë pozitive, ndaj shumë persona zgjedhin pikërisht këtë periudhë për të bërë një tatuazh të ri. Nëse ende nuk keni vendosur çfarë modeli të zgjidhni, tatuazhet e frymëzuara nga vera mund të jenë ideja perfekte për ju.
Një nga trendet më të pëlqyera janë tatuazhet me shkrime. Fjalë si “verë”, “sunshine”, “ocean” apo fraza të shkurtra që lidhen me lirinë dhe lumturinë e kësaj stine po preferohen gjithnjë e më shumë. Këto tatuazhe minimalistë janë elegantë dhe përshtaten lehtësisht në çdo pjesë të trupit.
Një tjetër sugjerim shumë interesant janë peizazhet verore. Lindjet apo perëndimet e diellit, palmat, deti dhe qielli me ngjyra të ngrohta krijojnë tatuazhe artistike dhe plot kuptim. Artistët e tatuazheve thonë se këto modele janë perfekte për ata që duan të mbajnë gjithmonë me vete atmosferën e pushimeve dhe qetësinë që sjell vera.
Ndër modelet më elegante renditen edhe dallgët e detit. Vijat e thjeshta që simbolizojnë valët janë bërë shumë popullore vitet e fundit, pasi duken minimalistë, modernë dhe shumë estetikë. Përveç bukurisë vizuale, ato simbolizojnë lirinë, qetësinë dhe lidhjen me natyrën. Një simbol tjetër që vazhdon të jetë në trend është dielli. Për shumë njerëz, dielli përfaqëson energjinë, shpresën dhe ngrohtësinë. Tatuazhet me diell mund të realizohen në forma të ndryshme, nga minimalistet deri tek ato më artistike dhe të detajuara.