Lifestyle

Temperaturat ekstreme, alarm për kafshët shtëpiake…

Rritja e temperaturave gjatë viteve të fundit po kthehet në një shqetësim serioz jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët shtëpiake. Veterinerët paralajmërojnë se vapët ekstreme mund të ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin dhe jetën e qenve, maceve, zogjve dhe kafshëve të tjera që jetojnë pranë njeriut.

Ndryshe nga njerëzit, kafshët nuk kanë të njëjtën aftësi për të rregulluar temperaturën e trupit. Për këtë arsye, ato janë më të ndjeshme ndaj të nxehtit dhe mund të pësojnë goditje nga vapa, dehidrim apo probleme të frymëmarrjes. Rreziku është edhe më i madh për kafshët me probleme zemre, ato mbipeshë ose racat me hundë të shkurtra si bulldogët, pugat dhe “boston terrier”, të cilët kanë vështirësi në qarkullimin e ajrit.

Ekspertët theksojnë se mbajtja e kafshëve në ambiente të mbyllura dhe pa ajrosje gjatë ditëve të nxehta mund të jetë fatale. Temperaturat e larta në apartamente, makina apo ballkone ndikojnë negativisht në organizmin e tyre, duke shkaktuar stres të madh fizik dhe emocional.

Shenjat më të zakonshme të mbinxehjes tek kafshët janë frymëmarrja e shpejtë, lodhja, mungesa e energjisë, humbja e oreksit dhe në raste më të rënda humbja e vetëdijes. Veterinerët këshillojnë që kafshët të kenë gjithmonë ujë të freskët, të shmangen shëtitjet në orët më të nxehta të ditës dhe ambientet ku qëndrojnë të jenë të freskëta dhe të ventilueshme. Ndryshimet klimatike po ndikojnë çdo ditë e më shumë tek jeta e kafshëve, ndaj kujdesi ndaj tyre konsiderohet një përgjegjësi gjithnjë e më e madhe për pronarët.