Me moton “T’du qashtu qysh je”, në Prishtinë u mbajt parada e shtatë e Krenarisë, në mbështetje të të drejtave të komunitetit LGBTQ+. Përfaqësues të këtij komuniteti në Kosovë thonë se këtë vit, në tërësi, Java e Krenarisë i kushtohet problematikave të shëndetit mendor të kësaj kategorie të shoqërisë.
Sipas tyre, “motoja synon të përçojë mesazhin e mbështetjes te të gjithë ata që po përballen me sfidat e stresit, ankthit e depresionit, si pasojë direkte e homofobisë dhe transfobisë sistematike nga shteti, shoqëria e familja”.







Gjatë paradës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se shteti dhe shoqëria duhet të mësojnë për komunitetin LGBTQ+ e të krijojnë kushte për mbrojtjen e tij.
Me këtë rast, unë shpreh indinjatën time për numër të madh të abuzimeve, kërcënimeve e diskriminimeve që përjeton ky komunitet. Ju e patë se si ky komunitet në mënyrë krenare bëri thirrje për barazi dhe liri. Aty ku bëhet thirrje për barazi e për liri, jam edhe unë si kryeministër sepse Republika jonë demokratike, nuk ka kuptim ndryshe.
Qindra veta morën pjesë në parakalimin në qendër të kryeqytetit Prishtinë dhe që në fund u përmbyll me një koncert. Lendi Mustafa nga organizata për mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti, CEL, vuri në dukje se nga viti në vit, mbështetja për këtë paradë po rritet.
Më shumë se kurrë, diversiteti në Kosovë po përqafohet, më shumë se kurrë personat LGBTQ+ janë duke dalë hapur e duke iu bashkëngjitur paradës dhe përfundimisht, më shumë se kurrë jemi duke pasur aleatë në lidhje me të drejtat e komunitetit.
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit LGBTQ+, në mënyrë të vazhdueshme tërheqin vërejtjen se ndonëse kuadri ligjor ofron garanci për të drejtat e këtij komuniteti, pjestarët e tij ende janë të detyruar të jetojnë në hije, me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin e tyre nga familja e gjithashtu shoqëria.