Mbeten të larta edhe në Greqi, kërkesat për azil të shqiptarëve, përveçse në Britaninë e Madhe e në vende të Bashkimit Europian si Gjermania e Franca. Në dhjetë muajt e parë të vitit, 1 mijë e 113 të tilla u paraqitën nga bashkëkombasit tanë. Shqiptarët përbënin rreth 4% të kërkesave për azil në vendin fqinj, të bëra nga shtetasit e vendeve të treta, mbi 28 mijë në total.
Pjesën më të madhe të aplikimeve në Greqi e zënë shtetasit nga Afganistani, Siria e Pakistani, që kanë edhe numrin më të lartë të njohjeve të azilit. Sipas Ministrisë greke për Migracionin dhe Azilin, shqiptarët përbëjnë kategorinë me numrin më të vogël të njohjeve. Vetëm 0,18% në kategorinë “a” dhe 0,80% në kategorinë “b” kanë arritur të përfitojnë azil 10 muajt e vitit 2022. Prej disa vitesh, Greqia e konsideron Shqipërinë si “vend të sigurtë”.
Sipas vetë emigrantëve shqiptarë që aplikojnë për azil, në shumë raste kërkesat e tyre lidhen me shmangien e deportimit drejt Shqipërisë. Ndërkohë, shqiptarët renditen të tretët në 10 kombësitë me apelimet që u janë bërë rasteve kur u është refuzuar azili. Kjo mbi bazë të kërkesave të paraqitura këtë vit apo vitin e kaluar.
Referuar Ministrisë greke të Migracionit dhe Azilit, 1.156 shtetas shqiptarë i apeluan vendimet për refuzimin e azilit dhe përbënin 10% te totalit te apelimeve të të huajve (13.614 gjithsej) në dhjetë muajt e këtij viti.
Ndërkohë, të dhënat e sapopublikuara nga Ministria greke e Emigracionit për të huajt e rregullt të pajisur me lejeqëndrimi në Greqi flasin se në tetor numri i shqiptarëve ishte 291.005 persona të cilët përbëjnë 61,24% të 475.225 të huajve të rregullt në Greqi.
Ky numër është dukshëm më i ulët se tetori i një viti më parë ku sipas statistikave të Ministrisë greke të Migracionit, 428.899 shtetas shqiptarë figuronin me leje qëndrimi dhe përbënin 63% të të huajve të rregullt në Greqi.
Ministria greke e Emigracionit ka pohuar se në lidhje me kërkesat fillestare të paraqitura brenda vitit 2020, vendet kryesore të origjinës së emigrantëve të rregullt për të cilët janë lëshuar lejet e qëndrimit ishin Shqipëria, Kina dhe Pakistani.
Për kërkesat e paraqitura në vitin 2021 lejet janë dhënë, kryesisht për shtetas të Shqipërisë, Gjeorgjisë e Pakistanit, ndërsa për kërkesat fillestare që janë depozituar në 10 muajt e parë të vitit 2022 në shtetet me më shumë persona që kanë përfituar lejet e qëndrimit janë shtetasit e Shqipërisë, Rusisë e Kinës.