Vendimi i Ministrisë së Mbrojtjes së Greqisë për të mbyllur një repart ushtarak në zonën e Filatit rreth 25 km larg kufirit me Shqipërinë ka nxitur protesta të banorëve dhe bashkisë lokale atje që prej javës së kaluar.
Çështjet e vendosura në qendër të protestës lidhen me sigurinë kombëtare motivuar kjo edhe me pretendimin e disa fletushkave të gjetura sipas autoriteteve në Greqi që përmbanin kërcënime prej një organizate të quajtur Ushtria Çlirimtare e Çamërisë.
Top Channel ishte sot në Filat për të verifikuar praninë e këtyre materiale të propagandës nacionaliste, siç pretendojnë banoret e Filatit, por autoritetet nuk i dispononin duke thënë se janë në zotërim të policisë dhe se ka nisur një hetim për çështjen.
LEXO EDHE: Kongresi Botëror i Ligjit në 2027 do të mbahet në Tiranë/ Rama nga Madridi: Shpërblimi më inkurajues për të gjitha përpjekjet! Sinjal i fortë besimi
Policia greke nuk na lejoi te intervistonim banore dhe autoritetet lokale të zonës duke na kërkuar që të riktheheshim një herë të dytë pasi të merrej një leje e posaçme prej Ministrisë së Jashtme greke siç e kërkon ligji grek për zonat pranë-kufitare.
Vendimi për shkrirjen e Batalionit 628 të Këmbësorisë në atë zonë ka shkaktuar tensione të spektrit ekonomik për banorët pasi sipas tyre do të dëmtojë të ardhurat lokale dhe punësimin çka është edhe pika e dytë e peticionit drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes.
Por pak banorë në zonën e Konispolit zona më e afërt me pikën kufitare të Qafë-Botës kishin dijeni për ngjarjen.
Në Konispol, Xarrë dhe Mursi banorët po merren me punët e para të pranverës ndërsa ende dhjetëra punëtorë nga kjo zonë shkojnë çdo ditë në Greqi për të punuar në mbyllje të sezonit të vjeljes së mandarinave.
Ata e komentojnë këtë zhvillim si çështje tërësisht të brendshme të Greqisë me natyrë të pastër ekonomike.
Punonjësit e bashkisë së Filatit kanë pezulluar punën për dy ditë e gjithashtu edhe mësimi është ndërprerë në shenjë proteste në shkollat kryesore.
Ditët në vijim pritet edhe një tubim paqësor para Ministrisë së Mbrojtjes në Athinë shoqëruar nga shoqatat e prindërve dhe kujdestarëve.
Ministria e Mbrojtjes kishte deklaruar se do të mbyllen të paktën 132 prej 837 reparteve ushtarake ekzistuese. Plani përfshin fuqizimin e reparteve të mbetur duke rritur në masën 70% efektivët dhe armatimet.